E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mariana Koçeku vë në pikëpyetje rezultatet e PISA-s për Shqipërinë
Lajme

Mariana Koçeku vë në pikëpyetje rezultatet e PISA-s për Shqipërinë

“Janë të manipuluara”

Shqipëria ka shënuar një përmirësim të dukshëm në rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA, duke u renditur e para në rajon në matematikë, shkencë dhe lexim. Të dhënat e publikuara së fundmi kanë sjellë reagime pozitive, por njëkohësisht kanë hapur edhe debat mbi mënyrën se si janë përftuar këto rezultate dhe nëse ato mund të konsiderohen përfaqësuese për të gjithë sistemin arsimor shqiptar.

Deputetja Mariana Koçeku ka ngritur pikëpyetje lidhur me përfshirjen e shkollave në procesin e testimit. Sipas saj, një numër i konsiderueshëm institucionesh arsimore nuk ka marrë pjesë në vlerësim, çka, në këndvështrimin e saj, duhet të merret në konsideratë përpara se rezultatet të paraqiten si pasqyrë e plotë e gjendjes së arsimit në Shqipëri.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Koçeku thekson se vendi ka regjistruar një rritje prej 65 pikësh në matematikë, 59 pikësh në shkencë dhe 50 pikësh në lexim, duke e çuar Shqipërinë në vendin e parë në rajon.

Megjithatë, ajo ndalet te një element që, sipas saj, nuk duhet anashkaluar. Koçeku pretendon se në testim janë përfshirë vetëm 76% e shkollave, ndërkohë që standardi i kërkuar për përfaqësimin e kampionit është 85%.

Një tjetër pikë e ngritur prej saj lidhet me shkollat me më pak se 21 nxënës, të cilat, sipas deklarimit të deputetes, nuk janë përfshirë në procesin e testimit.

Sipas Koçekut, bëhet fjalë kryesisht për shkolla që ndodhen në zona rurale, komunitete të vogla dhe territore ku problemet sociale dhe ekonomike kanë ndikuar ndër vite edhe në mundësitë për arsimim cilësor.

Pikërisht për këtë arsye, deputetja argumenton se rezultatet pozitive të nxënësve që kanë marrë pjesë në PISA nuk duhet të zhvlerësohen. Nëse performanca e tyre është përmirësuar realisht, thotë ajo, kjo duhet vlerësuar. Por, sipas saj, problemi qëndron te mënyra se si këto rezultate interpretohen dhe paraqiten si tregues i gjendjes së të gjithë arsimit shqiptar.

Koçeku e krahason situatën me një mesatare klase ku nuk përfshihen nxënësit me performancën më të dobët. Në një rast të tillë, argumenton ajo, rezultati mesatar mund të duket më pozitiv, por nuk tregon domosdoshmërisht realitetin e plotë të klasës.

Në reagimin e saj, deputetja e lidh debatin mbi PISA-n edhe me kushtet konkrete në të cilat zhvillohet arsimi në vend. Ajo ngre shqetësimin për fëmijët që, sipas saj, detyrohen të përshkojnë distanca të gjata në këmbë për të shkuar në shkollë, për kushtet e disa institucioneve arsimore dhe për situatën e mësuesve.

Sipas saj, vëmendja ndaj rezultateve të testeve ndërkombëtare nuk duhet të zëvendësojë diskutimin për investimet, kushtet e shkollave dhe mundësitë e barabarta që u ofrohen nxënësve, veçanërisht atyre që jetojnë në zona të thella rurale.

Koçeku argumenton se një rezultat vërtet domethënës për arsimin shqiptar nuk do të ishte vetëm rritja e pikëve në një test ndërkombëtar, por përmirësimi i kushteve në të cilat fëmijët mësojnë çdo ditë.

Ajo kërkon gjithashtu më shumë vëmendje ndaj statusit të mësuesve, duke theksuar nevojën që ata të trajtohen dhe të paguhen në mënyrë dinjitoze dhe të kenë mundësi ta ushtrojnë profesionin e tyre me integritet.

Në përfundim të reagimit, deputetja thekson se arsimi nuk mund të vlerësohet vetëm përmes renditjeve ndërkombëtare. Sipas saj, një nga mënyrat më të drejtpërdrejta për të kuptuar gjendjen e sistemit arsimor është të shihet se çfarë kushtesh i ofrohen një fëmije në zonat më të largëta të vendit.

Postimi i plotë:

Shqipnia ka marrë dhjetë me yll në PISA.

Veç ylli s’asht ashtu siç duket.

Ministrja e lexoi qartë prej Bratislavës: plus 65 pikë në matematikë, plus 59 në shkencë, plus 50 në lexim. Dolëm të parët në rajon në renditje.

PISA asht testi ndërkombëtar që mat aftësitë e nxanësve 15-vjeçarë në matematikë, shkencë dhe lexim. Por në tabelën e rezultateve, OECD-ja, organizata që e zhvillon testin – i ka vendosë Shqipnisë nji yll.

Dhe ai yll tregon se rezultatet munden me qenë të manipulueme. Vetëm 76% e shkollave morën pjesë, ndërkohë që standardi i kërkuem asht 85%.

Shkollat me ma pak se 21 nxanës nuk u përfshinë aspak në testim.

Këto shkolla janë shpesh ato të zonave rurale, të komuniteteve ma të vogla e ma të braktisuna, aty ku mundësitë për arsim cilësor kanë qenë historikisht ma të pakta.

Prandaj nuk e di për çka flasim kur festojmë rezultatet e PISA-s.

Nuk e kuptoj as gëzimin e ministres, kur këto shkolla jo vetëm që nuk marrin pjesë në këto vlerësime ndërkombëtare, por nuk hyjnë as në hartën e vëmendjes shtetnore, as në atë të investimeve.

Problemi nuk asht se rezultatet e nxanësve që morën pjesë nuk janë të mira. Përkundrazi, nëse janë të mira, duhen përshëndetë.

Problemi asht me i paraqitë ato si dëftesën e krejt arsimit shqiptar, kur një pjesë e realitetit tonë arsimor ka mbetë jashtë testimit.

Asht si me llogaritë mesataren e klasës tue lanë jashtë nxanësit ma pak të dalluem.

Mesatarja mundet me dalë e bukur, por klasa jo.

Kur fëmijët ende sot ecin me nga nji orë në kambë për me mbërritë në shkollë, kur mësuesit paguhen ma pak se nji kamarier, kur shkollat funksionojnë në kushte mjerimi e fshatnat veç zvogëlohen, dobësohen e tjetërsohen, asht vështirë me besu në këto statistika preferenciale.

Nji rezultat vërtet i mirë i PISA-s për Shqipninë kishte me qenë: ma pak shkolla në kushte mjerimi dhe ma pak fëmijë që e kanë sfidë arsimin qysh para se me hy në klasë.

Dhe mbi të gjitha: duhen mësues që trajtohen me dinjitet, paguhen me dinjitet dhe munden me ushtrue profesionin e tyne me integritet.

Arsimi jonë nuk mjafton me u matë me teste ndërkombëtare. Matet edhe ma thjeshtë: çfarë shkolle i ofrojmë fëmijës në cepin ma të largët të këtij vendi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.