Mark Marku rrëfen prapaskenat në hartimin e listave të PD: Ja deputetja për të cilën kundërshtova Bashën dhe Bardhin
Pasi la mandatin e deputetit Mark Marku rrëfehu sot prapaskena nga kundërshtitë që kishte pasur me lidershipin e PD-së lidhur me listat e demokratëve në qarkun e Lezhës.

Marku zbuloi në emisionin “Opinion” se kishte qenë kundër Bashës dhe Bardhit sa i takon emrit të Elda Hotit, e cila tanimë do të zërë tanimë vendin e tij në Kuvendin e ri.
Marku tha se shkak për këtë kundërshti ishte e kaluara e ish-deputetes së LSI-së, që nuk i ishte bindur vendimit të opozitës për djegien e mandateve.
“Për zonjën Hoti nuk e dija fare sepse kisha propozuar një djalë të mirë, mësues, duke i thënë se nuk do jesh te lista fituese por do të promovoj. Në një moment e heqin dhe fusin këtë Eldën që unë nuk ia kisha dëgjuar emrin. Nuk e dija që ishte deputete. Më thanë të fusim këtë. Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi e kanë futur. U thashë nuk e njoh kush është kjo. Është deputete më thanë, aq më keq u thashë, nuk e njeh askush. Deputete e LSI-së, u thashë por a jeni në vete!. Kishte qëndruar në Parlament duke thyer vendimin e opozitës. U thashë absolutisht jo. Mbas një dite më thanë nuk kemi çfarë ti bëjmë aleatit, e futën përmes partisë së Mediut. Nuk e dija që do dilte ajo, i pesti atje është Zef Gjoka, një nga burrat më te nderuar të Lezhës“, u shpreh Mark Marku.
Largimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga parlamenti, për Mark Markun është një vendim i vështirë, i cili nuk mund të merret nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Marku, i cili dorëzoi mandatin e deputetit që mori në zgjedhjet e 25 prillit thotë se Berisha duhej të ishte dorëhequr nga politika që në vitin 2013.
Marku i thotë se Lulzim Basha e ka të vështirë ta heqë Berishën, pasi ka qenë ky i fundit që e ka promovuar Bashën si lider të Partisë Demokratike.
“Nuk kam qenë kundër një vendimi që e merr një qeveri tjetër. Problem nuk mund të jetë Sali Berisha për korrupsionin në Shqipëri, por atë e bën qeveria. E bëjnë ministrat. Problemi i korrupsionit sot është kreu i qeverisë. Nuk ia mbush mendjen askujt që po lufton korrupsionin duke goditur ish kreun e qeverisë. Do isha dakord që të gjithë personat e korruptuar të shpallen non-grata. Sali Berisha pavarësisht të gjitha problemeve, në 2013 duhet të ishte larguar. Nuk duhet të kishte qëndruar në Parlament. Sepse cikli normal i një politikani normal është 8 dhe 8. Pra 8 vite në qeveri dhe 8 në opozitë.
Tony Blair në fund të dy mandateve, u erdhi në majë të hundës britanikëve dhe ai u tërhoq. Berisha ka kaluar, ka qenë një herë në opozitë, erdhi në pushtet, ka kaluar në opozitë. Humbi zgjedhjet dhe u tërhoq nga drejtimi i partisë. Duke mos e ndërprerë, ka krijuar një mbivendosje të roleve. Një lider historik që është shumë aktiv, dhe një lider tjetër formal, kjo mbivendosje është një prej arsyeve pse PD që ka humbur. Berisha ngrin marrëdhëniet me PD, vazhdon që të shkojë në Parlament. Kjo situatë është e vështirë për Bashën. Mendoni që ai duhet të marrë një vendim që t’i thotë ish-kryetarit të partisë të largohet. Ka raste nëse do ia merrte me forcë partinë. Basha e ka shumë të vështirë pasi e ka promovuar Berisha si lider të PD-së” – tha Marku.
Mark Marku shprehet se e vetmja mënyrë për të kundërshtuar atë që e konsideron vjedhje të zgjedhjeve, janë protestat. Sipas tij, me këtë formë qeverisje, po e çon Shqipërinë drejt humnerës.
“Janë pjesë e një strukture politike. Cili është misioni ynë në parlament. Si do funksionosh si opozitë e një regjimi. Duhet ta dinë dhe t’u thuhet se çfarë do bëjnë. Protestat jo përherë sjellin rezultat konkret. Në teoritë politike, aty ku ka konflikt social, është e vështirë të marrësh votat. Nuk mendoj që PD duhet të bëjë revolucion dhe të tjerë. Kur vidhen zgjedhjet, atëherë duhen bërë protesta. Bjellorusia vodhi zgjedhjet, dhe 3 muaj qytetarët protestuan. Bota e mori vesh dhe e ndëshkoi. Unë jam i shqetësuar që kemi të paktën 5 deputetë që janë me vota të blera. PD nuk kishte asnjë platformë. Unë mendoj që përpara se të shkonim aty, duhet të kishte një debat se çfarë është PD për shoqërinë shqiptare sot. Me këtë sistem po shkojmë në kolaps. Me këtë formë qeverisje po shkojmë drejt humnerës, duke u nisur nga kjo duhej të kishte një formacion për t’u organizuar në zgjedhjet” – tha Marku.
Siç e ka theksuar edhe më herët, Mark Marku shprehet se brenda PD-së duhet të ketë një rithemelim. Ai thotë se duhet vendosur një mision i ri për demokratët për e cila do të sillte një ndryshim rrënjësor në organizimin e partisë.
“Rithemelim është një akt i zakonshëm që e kanë bërë partitë europiane. Shpikja e një misioni të ri. Kishim një mision në 90-ën, cili është misioni i sotëm. Duhet të diskutojmë se çfarë forme do marrë PD pas 30 vitesh. Po hape procesin, vjen dhe mendimi. Ne kemi ardhur si një parti antikomuniste. Tani a frymëzon kjo më. Duhet të analizosh bazën sociale që të beson. Duhet një mënyrë e re lidershipi, duhet të ndryshojë struktura e partive shqiptare. Unë mendoj që entuziazmi nuk duhet të ekzistojë për opozitën. Problemi i Ramës është i delirit të liderëve autoritarë që japin mend për gjithçka, mënyra si bëhet vaji i ullirit. Jeton në një botë deliri” – tha Marku.
Së fundmi për braktisjen e qarkut të Lezhës pasi dorëzoi mandatin, Mark Marku thotë se ky ka qenë hezitimi i vetëm për lënien e mandatit. Sipas tij, Partia Demokratike e Lezhës kishte hartuar një plan për zgjidhjen e problemeve kryesore në këtë qark.
“Njerëzit të mbështesin, ti largohesh dhe thyen besimin e tyre. Arsyeja pse më kanë votuar është se unë nuk mashtroj. Nuk kam mashtruar kurrë. Mund të pyesin nëse kam premtuar një post atje, asnjë propozim për poste. Ne identifikuam problemet e qarkut dhe i kisha garantuar një gjë, mandatin tim dhe kolegëve të mi, forcën e reagimit do ta përdorim. Kishim përgatitur një miniprojekt që të merrnim nga qeveria, që atë mbështetjen që na dhanë qytetarëve, ta kthenim në investime. Në rastin konkret, unë e përfaqësoj atë zonë me qëndrimin që mbaj. Kjo që po bëj unë është gjest” – tha Marku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



