Marku ultimatum prokurorëve të zbardhin dosjet e bujshme, asistencë nga SHBA
Thellohen hetimet për Metën e Berishën mbi aferën CEZ-DIA, Marku ultimatum prokurorëve të zbardhin dosjet e bujshme, asistencë nga SHBA
Kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar dje të zbardhen të gjitha dosjet e bujshme që po hetohen nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Në kuadër të turit të ndërmarrë në disa prokurori të vendit, Marku dje u ndal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të analizuar punën e këtij institucioni. Por në deklaratën e saj Marku ka qenë e prerë, duke kërkuar që të zbardhen të gjitha dosjet e bujshme që po hetohen në këtë organ. Por kush janë dosjet më të bujshme që pritet të tronditin politikën? Ato janë dy: Dosja ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe dosja për aferën CEZ-DIA. Teksa për hetimet ndaj Tahirit deri më tani ka pasur debate, ajo që prite të tronditë publikun është rasti CEZDIA. Në fund të vitit 2017, juristi i OSHEE, Romeo Kara, bëri një padi penale në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj 7 zyrtarëve, mes të cilëve ndaj Presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, sa i takon paktit CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve. Por dosja në janar kaloi te Krimet e Rënda dhe bën pjesë në listën për të cilën Marku ka kërkuar që të thellohen hetimet. Kjo do të thotë se shumë shpejt do të kemi rezultate, pasi do të shihet nëse Meta e Berisha kanë pasur apo jo ndikim në paktin në fjalë. Juristi Romeo Kara pretendon se ka prova të pakundërshtueshme, ndërsa pritet të shihet se si do të veprohet. Megjithatë Marku dje ka qenë e prerë, duke deklaruar se të gjitha dosjet bujshme duhet të hetohen sa më shpejt. Nga ana tjetër, ajo që ra në sy është se pjesë e takimit ka qenë dhe prokurori amerikan Jon Junçaj, i cili do të asistojë Krimet e Rënda në shumë çështje. Por kjo do të thotë se ndërkombëtarë dhe veçanërisht SHBA do të mbikëqyrin nga afër procesin.
Deklarata e Markut
Prokuroria e Përgjithshme përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat ka bërë publike dhe detaje nga mbledhja e Markut me Prokurorët e Krimeve të Rënda. Marku në fjalën e saj ka kërkuar bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe u premtoi mbështetje të gjithë prokurorëve në dosjet e bujshme. “Për vetë specifikën e veprave penale që janë objekt i ndjekjes penale nga Prokuroria për Krime të Rënda, ku shpesh ndërthuren organizatat apo grupet kriminale transnacionalë, kërkohen energji të reja për të ngritur më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me agjencitë e zbatimit të ligjit brenda vendit dhe veçanërisht me partnerët ndërkombëtarë. Prokuroria e Përgjithshme nxit dhe mbështet përshpejtimin e hetimeve të të gjitha çështjeve nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo, pa e cenuar aspak cilësinë e hetimeve, por për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike që kanë çështjet që hetohen prej jush. Prandaj, kërkohet kjo shpejtësi në plotësimin dhe standardizimin e protokolleve hetimorë”, ka deklaruar Marku. Nga ana tjetër, kryeprokurorja ka garantuar prokurorët se ata do të jenë të pavarur në hetimet e tyre, megjithatë ka kërkuar që të mos e shfrytëzuar këtë gjë për të bërë sipas qejfit. “Pavarësia e prokurorëve mbetet e pacenuar, si një e drejtë e njohur nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale. Por, kjo nuk do të thotë që të kalohet në anarki, përveçse kërkohet vëmendje dhe përkushtim maksimal në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë si dhe zbatimin rigoroz të rregullave proceduralë dhe rregullave të parashikuar në ligjin për organizimin e prokurorisë”, thuhet më tej. Burime të gazetës deklaruan se pas vizitës së Markut, priten rezultate konkrete nga Krimet e Rënda, kjo dhe në kuadër të hapjes së negociatave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



