E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Masa urgjente për prishjen e syrit të keq
Lajme

Masa urgjente për prishjen e syrit të keq

Fejton

Kur u ça tubi 1000 milimetersh i ujit në Vlorë dhe qyteti mbeti pesë ditë pa pikë uji as për të larë dhëmbët, as për të shkuar ne banje , qeveria reagoi me shpejtësinë që e karakterizon vetëm në raste shumë serioze: mblodhi komisionin e ekspertëve për gjetjen e fajtorit metafizik. U përmendën reshjet e pazakonta, rrëshqitjet e dherave, amortizimi i rrjetit që ishte më i vjetër se disa ministra në detyrë, u përmend si gjithmonë shprehja “ Gjithë fajin e ka Saliu”, por prapë sikur analiza nuk ishte shumë e thellë. Por pas tre orësh mbledhjeje dhe katër kafeve pa sheqer, Kryeministri e mbylli diskutimin me një fjali epokale:

– S’ka nevojë për analiza të gjata dhe as të mbytemi në një pikë uji. Është syri i keq. Vlorën e kanë marrë mësysh.”

Që nga ajo ditë, në Kryeministri u krijua një strukturë e re strategjike, me vendim të posaçëm qeverie: Drejtoria e Shikimit të Filxhanit dhe Prishjes së Mësyshit Kombëtar. Zyra e saj u vendos në katin e dytë , aty ku më parë ishte zyra e Fugës. U pajis me tre karrige druri, një mangall portativ dhe një dollap me filxhanë turke të trashëguar nga koha e monizmit.

Në përbërje të drejtorisë u emëruan tre plaka me CV të pasur shpirtërore: njëra kishte prishur mësyshin e një autobusi në Berat në vitin ’97, tjetra kishte shpëtuar një krushqi nga syri i keq në Lushnjë, ndërsa e treta ishte legjendë në Fier për aftësinë për të lexuar llumin e kafesë .

Çdo mëngjes, para mbledhjes së qeverisë, tre plakat ulen mbi dosjet e projekteve infrastrukturore, tundin filxhanët, i përmbysin me solemnitet dhe shpallin parashikimin zyrtar të ditës:
– Këtu shoh një vijë të trashë… kjo është një media kazan e xhelozuar nga suksesi qeveritar!
– Jo moj, kjo njolla si rrufe është opozita, po na hedh energji negative mbi tubat!
– Le të jetë çtë dojë! Do ta prishim me tymosje.

Pastaj ndizet mangalli, hidhet kripë, sherbelë dhe një copë qepë për çdo rast, dhe nje kollare e vjeter e kryeministrit , ndërsa një nga ndihësat mban shënime .

Kur ndonjë tub tjetër çahet, nuk thirret më hidrauliku, por Task-Forca e Mësyshit. Tre plakat mbërrijnë me urgjencë qeveritare, bëjnë rreth tubit një rreth me shkumës, e prekin tri herë me filxhan dhe shpallin diagnozën:
– Është mësyshje e rëndë, e ardhur nga fqinjët xhelozë për sukseset . Kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Qeveria u kujdes qe bashke me tubin te sillnin nga Turqia edhe tre xhezve, me te cilat u pajis drejtoria kunder yshtjes dhe magjive.

Tani tre plakat nuk merren më vetëm me tubat e ujit, por janë ngarkuar me një mision edhe më delikat: të yshtin Diellën, ministren AI që është në muajt e fundit të “shtatzënisë digjitale”, dhe t’i heqin mallkimin që, sipas ekspertizës shpirtërore të qeverisë, ka zënë të gjithë AKSH-in. Çdo pasdite ato rrinë rreth serverëve, u fryjnë kabllove optike si foshnjëve me dhimbje barku dhe i luten algoritmit që të lindë pa defekte, sepse nëse edhe Diella del me mësysh, rrezikon të mbetet pa ujë jo vetëm Vlora, por edhe vetë sistemi shtetëror , nga filxhani deri te databaza.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.