E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Masakroi kamarierin e ‘Fish City’,policia në kërkim të autorit
Publik News

Masakroi kamarierin e ‘Fish City’,policia në kërkim të autorit

E shkuara “e pasur” e tij me precedentë penalë

Pesë ditë pasi një kamarier në Elbasan u dhunua fizikisht nga një klient për arsye banale deri në vdekje, Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar. Erjon Llapushi, me precedentë penalë, është shpallur në kërkim kombëtar, pasi dhunoi me grushte dhe sende të forta 50-vjeçarin Gazmend Kurmaku, për shkak se ky i fundit i tha se tavolina ku ishte ulur Llapushi si klient ishte e rezervuar.

Në sherr e sipër, 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni, duke përfunduar në vdekje klinike. Kurmaku ndërroi jetë gjatë ditës së enjte në Spitalin e Traumës në Tiranë ku u transferuar natën e ngjarjes.

Policia po kryen kërkime edhe në qytetin e Pogradecit, ku Llapushi është banues.

Policia e Elbasanit ka marrë në pyetje biznesmenin dhe punonjësit e tjerë të restorantit, ndërsa janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

E SHKUARA E AUTORIT

Erjon Llapushi është emër i njohur në radhët e Policisë. Më 5 maj të vitit të shkuar, Operacioni Forca Operacioni zbarkoi edhe në Pogradec dhe midis emrave ku kërkonte sqarime për pasurinë ishte edhe Llapushi. Në atë periudhë ai ndodhej në qelitë e paraburgimit, pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që përmes shantazhit dhe dhunës, kanë detyruar biznesmenët e Pogradecit të dhurojnë aksionet e tyre.

Erjon Llapushi rezulton të ketë tjetërsuar një pjesë të aksioneve të bizneseve duke ua dhuruar më pas personave të tretë, gjithashtu me precedentë penalë.

Në dëshmitë e zbardhura të aksionarëve të kompanive, iu shpjegohet hetuesve brutaliteti me të cilin vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve.

Në dhjetor të 2018 dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga Policia, çka çoi më pas edhe në arrestimin e Llapushit dy muaj më vonë. Ndërkohë, më 29 maj 2021 ai ra në pranga në kuadër të operacionit “Perimetri” pasi u kap duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm në zonën e Pogradecit.

Ende nuk dihet se si Llapushi ka rifituar lirinë për një periudhë kohore brenda pak muajsh. Në njoftimin e Policisë për atë rast thuhet se Llapushi ishte dënuar edhe për plagosje në vitin 2008, ngjarje e ndodhur në një lokal në Pogradec. Më 1 maj të vitit 2007 Llapushi kishte tentuar të vetëvritej.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.