Mashtrimi me Call Center në Tiranë: 7 të pandehur!
4 në burg dhe hetim pasuror nga SPAK
Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë për 7 persona të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që mashtronte qytetarë gjermanë përmes një Call Center-i të paligjshëm që vepronte në Tiranë.
Pas verifikimit të provave, togave të zeza lanë në fuqi masën “arrest me burg” për:
- Emiljano Sejdillari
- Tafil Dyrmishi
- Sokol Krasniqi
- Eltion Logu
- Rodrigo Guga
Ndërsa për Lisjane Çulani, Mateo Llozhi dhe Kejdi Nuka u vendos arrest shtëpie.
Një tjetër person i dyshuar si pjesë e këtij grupi vijon të jetë në kërkim dhe dyshohet se është larguar nga Shqipëria.
Hetimet zbuluan se grupi mashtronte qindra qytetarë gjermanë duke u telefonuar dhe prezantuar si oficerë policie, me pretendimin se do t’i ndihmonin për të rikuperuar paratë e humbura në investime të rreme në Forex apo kriptomonedha.
Dëmi i deritanishëm i dokumentuar kap vlerën e 363,501 eurove, por autoritetet gjermane dhe ato shqiptare deklarojnë se janë parandaluar vjedhje në përmasa shumë më të mëdha – rreth 10 milion euro.
SPAK ka nisur gjithashtu një hetim pasuror për të gjurmuar fitimet dhe pasuritë e dyshuara të paligjshme të anëtarëve të këtij grupi, në kuadër të operacionit ndërkombëtar që synon çmontimin e rrjeteve kriminale që veprojnë përmes platformave mashtruese online.
Tirana vijon të shfaqet si një nga qendrat aktive të Call Center-ëve mashtrues që godasin qytetarë të huaj, ndërsa rasti i fundit shton presionin ndaj autoriteteve shqiptare për të ashpërsuar luftën kundër këtij fenomeni që po dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



