Mashtruan të moshuarin për t’i marrë 100 mijë €, pranga 2 të rinjve
Një 64-vjeçar denoncoi tentativën për mashtrim, ndërsa Policia e Tiranës arrestoi në flagrancë dy të rinj teksa po merrnin shumën e madhe të parave.
Një skemë e dyshuar mashtrimi online, përmes së cilës synohej përfitimi i 100 mijë eurove, është goditur nga Policia e Tiranës.
Në kuadër të operacionit të koduar “Seen”, uniformat blu kanë arrestuar Edison Korrën, 24 vjeç, dhe Orest Ballën, 23 vjeç, të dyshuar për përfshirje në tentativën për të mashtruar një 64-vjeçar.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, dy të rinjtë dyshohet se kanë përdorur një profil të rremë në rrjetet sociale, i cili ishte krijuar duke përdorur të dhënat e një personi të njohur të viktimës.
Përmes këtij profili, ata dyshohet se kanë komunikuar me 64-vjeçarin me qëllim bindjen e tij për të dorëzuar shumën prej 100 mijë eurosh.
Policia ndërhyri pas kallëzimit të bërë nga 64-vjeçari dhe, gjatë veprimeve të kryera për dokumentimin e rastit, dy të rinjtë u kapën në flagrancë në momentin kur po merrnin paratë.
Operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit.
Hetuesit po vijojnë veprimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e rastit, ndërsa po punohet edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në skemën e dyshuar të mashtrimit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



