E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mazniku e bën Erion Braçen të vendosi duart në kokë
Lajme

Mazniku e bën Erion Braçen të vendosi duart në kokë

Debati për reformën e re territoriale ka sjellë një tjetër përplasje brenda mazhorancës, këtë herë mes ministrit Arbjan Mazniku dhe deputetit socialist Erion Braçe.

Pas kritikave të Braçes ndaj projektit për ndryshimin e hartës administrative, Mazniku, i cili është edhe bashkëkryetar i komisionit të reformës, mori fjalën në Kuvend për t’iu përgjigjur argumenteve të kolegut të tij.

Ministri tha se e vlerëson diskutimin me Braçen, por kundërshtoi pretendimin se mosrealizimi i disa kompetencave nga bashkitë lidhet vetëm me mungesën e fondeve.

Sipas Maznikut, ka raste kur pushteti vendor nuk i ushtron disa funksione për shkak të mungesës së kapaciteteve, por ekzistojnë edhe përgjegjësi të tjera për të cilat, sipas tij, bashkitë nuk kanë as pengesa ligjore dhe as kufizime të vendosura nga qeveria.

“Ka disa funksione të cilat sot bashkitë nuk i kanë dhe nuk i ushtrojnë, se nuk i kanë, ose se nuk kanë mundësitë për t’i ushtruar. Por ka plot funksione të cilat, për të qenë plotësisht të vërtetë, bashkitë nuk kanë pengesë as nga ligji, as nga qeveria për t’i ushtruar”, deklaroi Mazniku.

Për të ilustruar argumentin e tij, ministri renditi disa prej fushave ku, sipas tij, ka diferenca në mënyrën se si bashkitë ushtrojnë kompetencat e tyre, duke përmendur turizmin, strehimin social, kujdesin ndaj të sëmurëve, arsimin profesional dhe transportin publik.

Por shembulli që ndezi më shumë reagimin në sallën e Kuvendit ishte ai i bashkive Lushnjë dhe Divjakë.

“Dhe Lushnja merret, Divjaka nuk merret. Kujdesi social për të sëmurët është funksion. Lushnja e bën, Divjaka nuk e bën”, tha ministri.

Në këtë moment, Erion Braçe reagoi nga vendi. Deputeti socialist u pa duke vendosur duart në kokë, në shenjë kundërshtimi ndaj deklaratës së Maznikut.

Braçe kishte kundërshtuar më herët reformën territoriale, duke argumentuar se disa prej kompetencave u janë transferuar bashkive pa fondet e nevojshme ose me financim të pamjaftueshëm. Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si është zhvilluar procesi i hartimit të reformës.

Mazniku mbrojti një tjetër qasje. Sipas tij, ndryshimi i hartës synon të krijojë bashki me kapacitete më të mëdha administrative dhe financiare, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të hartojnë projekte dhe të përfitojnë më shumë fonde.

“Ne na duhen bashkitë që ndërtojnë këto projekte, që ndërtojnë këto programe, në mënyrë që të shkojmë te Bashkimi Evropian dhe të marrim financimet”, u shpreh ai.

Ministri e cilësoi momentin si vendimtar për fatin e reformës dhe paralajmëroi se procesi nuk duhet të humbasë ritmin.

“Ose kjo reformë humb momentumin dhe nuk ia dalim dot, ose ia dalim nëpërmjet mekanizmave që kemi sot”, deklaroi Mazniku.

Përplasja mes dy socialistëve erdhi në një moment kur Kuvendi po diskuton ndryshimet e propozuara për hartën territoriale, ndërsa brenda vetë mazhorancës janë shfaqur qëndrime të ndryshme mbi mënyrën se si duhet të organizohen dhe financohen njësitë vendore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.