Mbledhësi i mbeturinave fiton gjyqin kundër Bashkisë së Tiranës
Agron Curraj, një mbledhës mbeturinash i komunitetit rom ka fituar gjyqin ndaj Policisë bashkiake të Tiranës dhe madje edhe një dëmshpërblim prej 2,5 milionë lekësh për dëmin pasuror e moral që i shkaktuan. Historia nisi kur policët bashkiakë dhunshëm dhe pa fakte e ndaluan Currajn në rrugën Komuna e Parisit dhe i sekuestruan biçikletën me të cilën po transportonte disa hedhurina, të dhëna nga pronari i një biznesi. Ndërkohë, në një studio televizive tek Syri Tv avokati Gentian Serjani, i cili mbështeti qytetarin Agron Curraj ka folur në lidhje ngjarjen në fjalë.
Avokati ka thënë se:
Vendimi është rast precedent, kur ne kundërshtuam dhe arritëm të fitonim mbi Policinë bashkiake se ne e kishim të konstatuar që ishin duke bërë veprime të paligjshme. Dhe këtë e konfirmoi edhe një institucion i pavarur për rastet e diskriminimit që e pa qartë se ishte veprim diskriminimi dhe i paligjshëm nga Policia bashkiake. Nisur dhe nga vendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ne iu drejtuam Gjykatës për të pasur dhe një kosto që më vjen keq që do të jetë sërish mbi taksapaguesit e Tiranës, por ne do të donim që me të vërtetë të vinim para përgjegjësisë institucionin e Bashkisë së Tiranës që të mos kryente më veprime të tilla ndaj qytetarëve të varfër jo vetëm nga komuniteti egjiptian dhe rom, po dhe shitës ambulantë.
Ndër të tjera, avokati tha se e trajtoi këtë rast në mënyrë që të ndalohen këto veprime nga Policia bashkiake për shkak se janë të paligjshme.
“Nëse nuk kapen në situatën e flagrancës, që do të thotë se një qytetar është pranë kazanit të mbetjeve, nëse nuk kapet në momentin e mbledhjes nga kazanët do të thotë se Policia nuk ka provë. Nëse qytetari ndodhet në distancë si në rastin konkret është duke ecur rrugës, ku, si e provon Policia se e ka marrë nga kazanët e mbetjeve?! Qytetari nuk i mori nga kazanët e mbetjeve ia kishte dhuruar një pronar në rrugën Komuna e Parisit që e kishte punësuar atë ditë. Nga ana tjetër procedura..edhe po t’u referohemi ambulantëve, nuk u jepet një flete sekuestrimi e materialeve të tyre, pra është sërish në shkelje flagrante të ligjit. Në rastin e ricikliuesve nuk kemi vendim të Këshillit Bashkiak që rregullon marrëdhëniet midis qytetarëve dhe Këshillit Bashkiak dhe në mungesë të këtij akti e gjithë procedura është e paligjshme.”-tha avokati Gentjan Serjani.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



