Mbrojtja e natyrës në pikëpyetje, drafti i qeverisë për VNM-të ngre shqetësime të reja
Në një kohë kur në Shqipëri vijon debati për mbrojtjen e zonave natyrore dhe ligjin për Zonat e Mbrojtura, qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektvendim që ndryshon procedurat e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).
Nisma vjen paralelisht me protestën e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, një prej kërkesave kryesore të së cilës është anulimi i ligjit 21/2024 për Zonat e Mbrojtura. Protesta vijon prej rreth tre muajsh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.
Projektvendimi i Ministrisë së Mjedisit parashikon përfshirjen e një procedure të re, të quajtur “Vlerësimi i Duhur”, për projektet që mund të kenë ndikim në zona të veçanta të ruajtjes.
Sipas argumentimit zyrtar, ndryshimet synojnë të integrojnë më mirë mbrojtjen e biodiversitetit në procesin e vlerësimit të projekteve dhe të afrojnë legjislacionin shqiptar me kërkesat e Bashkimit Europian, përfshirë Direktivën 92/43/KEE.
Por, në vend që të qetësojë shqetësimet për mbrojtjen e natyrës, drafti ka hapur pikëpyetje të reja.
Ekspertë dhe organizata mjedisore paralajmërojnë se mekanizmi i ri rrezikon të mbetet vetëm një procedurë burokratike, pa garantuar realisht mbrojtjen e biodiversitetit. Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që vlerësimi mjedisor të përdoret për të legjitimuar projekte që tashmë janë miratuar ose kanë nisur të zbatohen në zona me rëndësi natyrore.
Sipas ekspertëve, një mekanizëm i tillë nuk mund të shkëputet nga kuadri më i gjerë ligjor për zonat e mbrojtura. Pikërisht ndryshimet e vitit 2024 në këtë fushë kanë qenë objekt kritikash për përputhshmërinë e tyre me standardet europiane.
Kështu, ndërsa qeveria e paraqet draftin si një hap drejt përafrimit me Bashkimin Europian, kritikët kërkojnë garanci konkrete se procedura e re nuk do të shndërrohet në një formalitet që u hap rrugë projekteve me ndikim mbi natyrën.
Debati merr një rëndësi edhe më të madhe në kushtet kur Shqipëria po përballet me presion të shtuar nga ndërtimet, zhvillimi turistik dhe projektet infrastrukturore në territore me vlera të larta natyrore.
Në thelb, pikëpyetja që mbetet është nëse “Vlerësimi i Duhur” do të shërbejë si një mekanizëm real mbrojtjeje për zonat e ndjeshme, apo do të kthehet në një tjetër hallkë administrative që i jep mbulim ligjor projekteve të diskutueshme.
Ndërkohë, kërkesa për rishikimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura mbetet në qendër të protestave dhe debatit publik mbi mënyrën se si Shqipëria po menaxhon pasuritë e saj natyrore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



