“Mbyllën sytë” për magazinën e kanabisit, pezullohen 7 efektivë policie
Një rast i rëndë ka tronditur strukturat e rendit në vend, pasi shtatë punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra për shkelje të rënda në ushtrimin e funksioneve të tyre, në lidhje me një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Kurtaj, në Peqin.
Bëhet fjalë për drejtues dhe efektivë të niveleve të ndryshme, të cilët dyshohet se nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore, duke lejuar në mënyrë të tërthortë zhvillimin e aktivitetit kriminal në ambiente të mbyllura. Sipas të dhënave zyrtare, kultivimi i kanabisit ishte evidentuar në dy magazina dhe ishte zbuluar disa javë më parë.
Të pezulluarit përfshijnë drejtues lokalë të policisë dhe specialistë të strukturave kriminale dhe të policimit në komunitet, çka e bën rastin edhe më të rëndë për shkak të përgjegjësisë që mbanin në parandalimin e veprimtarive të paligjshme.
Masat disiplinore janë bërë publike nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë një takimi me drejtuesit vendorë dhe ata të kufirit. Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masa të forta kundër kultivimit të kanabisit, duke theksuar se çdo neglizhencë apo përfshirje e punonjësve të policisë do të ndëshkohet pa kompromis.
Hetimi disiplinor është nisur nga strukturat përkatëse, duke u bazuar në shkeljen e hapur të dispozitave ligjore që lidhen me përmbushjen e detyrës. Për pasojë, ndaj punonjësve është vendosur masa e pezullimit deri në përfundim të procedurave.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit brenda policisë, ndërsa autoritetet deklarojnë se lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike mbetet prioritet dhe se çdo rast abuzimi do të trajtohet me tolerancë zero.
Njoftimi:
Policia e Shtetit
Pezullohen nga detyra 7 punonjës policie, për moszbatim haptazi të dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, më datë 19.03.2026.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në vendngjarje, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë ligjore, lidhur me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, që u zbuluan më datë 19.03.2026, Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121, pika 1, germa “i”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:
Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;
Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;
Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;
Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra.
Policia e Shtetit është e vendosur për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për të çuar para drejtësisë autorët e saj, si dhe për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që nuk përmbush detyrat funksionale, që bëhet ndihmës apo palë me shtetasit që kryejnë këtë veprimtari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



