E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mbyllja e “TikTok” PD protestë në shesh me  mbështetësit
Lajme

Mbyllja e “TikTok” PD protestë në shesh me mbështetësit

Partia Demokratike po proteston pasditen e sotme në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë lidhur me mbylljen e TikTok.

Qytetarët janë thirrur nga kreu demokrat dhe parti të tjera opozitare për të protestuar lidhur me vendimin për mbylljen e rrjetit social, që konsiderohet si një vendim që censuron shqiptarët dhe që ka lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Rinia kundër censurës” është motoja e protestës, ndërkohë që në një nga pankartat shkruhet “E çove edhe TikTok në emigrimin” apo “E vrave TikTok”.

Protesta udhëhiqet nga të rinjtë e FRPD-së dhe kjo është protesta e parë që nga momenti që PD ka ndërprerë atë që e konsideroi si ‘mosbindja civile’, që për disa muaj përmblodhi disa lloje protestash që më shumë shkaktonin kaos në rrugët e Tiranës, sesa kishin qëllim rrëzimin e Qeverisë, sikundër shpreheshin drejtuesit demokratë.

19.13- Berisha del nga banesa

Kryedemokrati Sali Berisha doli nga banesa e tij pak minuta më parë dhe bashkë me mbështetësit po marshon drejt Kryeministrisë, aty ku pritet të nisë protesta kundër mbylljes së rrjetit social “TikTok”.

19.33- Bardhi: Në mbështetje të çdo të riu që lirinë e fjalën e ka prezumuar si diçka që nuk preket

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në fjalën e tij në nisje të protestës kundër mbylljes së Tik ToK, u shpreh se Rama do të bëjë gjithçka që që të mbyllë sa më shumë hapësira lirie ku qytetarët dhe opozitarët të mos kenë mundësi të shprehen.

“Protestë e thirrur nga të rinjtë e FRPD dhe e mbështetur nga kreu i PD dhe strukturat. Akti i mbylljes ë TikTok nuk ka të bëjë me arsyet e shpallura publikisht nga qeveria por me tentativën për të vendosur censurën në vend. Jemi në protestë sot në mbështetje të çdo të riu që lirinë e fjalën e ka prezumuar si diçka që nuk preket.

Në 2021 Rama përdori trukun e mbylljes së kufijve që të mos lejonte votën e emigrantëve. Edhe këtë herë do të bëjë gjithçka që të mbyllë sa më shumë hapësira lirie ku qytetarët dhe opozitarët të mos kenë mundësi të shprehen”, tha ai.

19.35- Protesta e PD, Noka: Rama ka panik nga fjala e lirë

Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka, në fjalën e tij nga protesta e opozitës, u shpreh se kryeministri Edi Rama do të ngelet në histori si armik i fjalës së lirë shqiptarëve.

“Rama ka panik nga fjala e lirë. Komisioni i censurës me në krye Bracen këtë qëllim kishte. TikToku aplikacioni më i pa kontrolluar nga qeveria ku i çirret maska Ramës. Meqë dështoi me komisionin po përpiqet të bëjë censurën e TikTok. Do të ngelet në histori si armik i fjalës së lirë dhe shqiptarëve”, tha ai.

Luçiano Boçi: Pse Rama e mbylli “TikTok”-un para fushatës?

Luçiano Boçi, nënkryetar i PD-së, ka ngritur disa pyetje lidhur me mbylljen e TikTok në Shqipëri, e cila soli dhe protestën e sotme. Ai thekson se kjo masë, e marrë disa javë para nisjes së fushatës elektorale, ngre dyshime mbi motivet dhe pasojat e saj.

“Ngrihen disa pyetje normale tani. Pse u mbyll pikërisht tani TikTok, para fushatës elektorale, dhe pse ky vendim u mor për një periudhë vetëm 1-vjeçare? Çfarë do të ndodhë me këtë rrjet social? A do të edukohen përdoruesit dhe menaxhuesit e tij?”, tha ai.

Boçi gjithashtu theksoi se mbyllja e TikTok mund të jetë një zgjidhje jo e duhur për të parandaluar përhapjen e informacioneve që kanë efekte negative tek të rinjtë. Sipas tij, vendet e tjera kanë përdorur filtrat e informacionit si një mjet efektiv për të parandaluar përhapjen e përmbajtjes që mund të shkaktojë dhunë apo ndikime negative.

“Një zgjidhje më e pranueshme do të ishte përdorimi i filtrave për të mbrojtur përdoruesit, sidomos ata më të rinjtë,” shtoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.