Me 100 mijë € veshje kontrabandë në mjet, kapet shoferi në Kapshticë
Policia Kufitare e Kapshticës ka vënë në pranga një 54-vjeçar nga Korça, i cili akuzohet për kontrabandë mallrash me vlerë të konsiderueshme.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, gjatë kontrolleve të imtësishme në pikën kufitare të Kapshticës, një autobus që udhëtonte nga Greqia u ndalua për kontroll të dytë.
Në mjetin që drejtohej nga shtetasi N. Z., 54 vjeç, banues në fshatin Neviçisht të Korçës, policia zbuloi një sasi të madhe veshjesh të reja, të cilat nuk ishin të shoqëruara me asnjë dokument tatimor apo fatura blerjeje.
Sipas të dhënave paraprake, mallrat e sekuestruara arrijnë vlerën e rreth 100 mijë eurove, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse pas shoferit qëndron një rrjet i mirëorganizuar kontrabande mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Njoftimi:
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Policia Kufitare intensifikon kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi.
Goditet një tjetër rast i kontrabandës.
Kontrabandoi veshje nga Greqia, arrestohet në flagrancë, gjatë transportimit të tyre, 54-vjeçari, shofer autobusi.
Sekuestrohen veshjet e kontrabanduara, që kapin vlerën rreth 100 mijë euro.
Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara në informacionet policore të marra në rrugë operative, shërbimet e DVKM Korçë, në hyrje të RSh-së, në PKK Kapshticë, kaluan për kontroll në vijën e dytë autobusin me drejtues shtetasin N. Z., 54 vjeç, banues në fshatin Neviçisht, Korçë.
Nga kontrolli, në autobusin që ky shtetas drejtonte, janë gjetur veshje të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi N. Z., 54 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



