Pas fjalës së kryeparlamentarit Ruçi, fjala i ka kaluar komisionerit Varhelyi, që pasi e ka falenderuar Ruçin për fjalët e mira, ka “kritikuar” vendosjen e tij në një karrike të ndryshme nga të tjerët, duke u shprehur se në vende të tilla ulen monarkët dhe ai nuk është i tillë.
Ndërkohë për sa i përket çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ai është shprehur se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fokusin e Komisionit Europian.
“Zoti kryetar, faleminderit për fjalët e mira dhe mikpritjen e ngrohtë, por më dhatë një vend ku ulen monarkët, dhe unë nuk jam i tillë. Është një nder të flasësh në parlamentin që përfaqëson popullin dhe të japësh mesazhin se ne po punojmë për ju që të jeni anëtarë të BE. Për Komisionin Europian vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë në fokus gjatë gjithë kohës. Ne kemi bërë disa hapa përpara për të çelur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ashtu si edhe Maqedonia e Veriut, duke kaluar ngërçin që kishim”, tha ndër të tjera Varhelyi.



