Me prurje të reja e surpriza, Silvinjo publikon listën ndaj Polonisë
Kombëtarja shqiptare e futbollit hyn në një moment vendimtar në rrugëtimin drejt Botërorit 2026, teksa përgatitet për sfidën e parë të fazës play-off. Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë më 26 mars në Varshavë, në një ndeshje që pritet të jetë përcaktuese për ecurinë e mëtejshme.
Trajneri brazilian Sylvinho ka shpallur listën me 26 futbollistët e grumbulluar për këtë takim, si dhe për përballjen e mundshme të 31 marsit ndaj fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi. Në këtë listë bien në sy dy emra të rinj që vijnë për herë të parë në ekipin kombëtar, mbrojtësit Stavro Pilo dhe Bujar Pllana, të cilët shpërblehen për paraqitjet e tyre në klubet respektive.
Grupi i përzgjedhur përfaqëson një kombinim të eksperiencës dhe energjisë së re, ku nuk mungojnë emra të konsoliduar që kanë mbajtur peshën e skuadrës në vitet e fundit, por edhe elementë të rinj që synojnë të fitojnë hapësira.
Në portë janë thirrur Thomas Strakosha, Elhan Kastrati dhe Mario Dajsinani. Reparti i mbrojtjes përbëhet nga Mario Mitaj, Stavro Pilo, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Bujar Pllana, Klisman Cake, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu.
Mesfusha përfshin Kristjan Asllanin, Adrion Pajazitin, Ylber Ramadanin, Juljan Shehun, Qazim Laçin, Nazmi Gripshin, Arbër Hoxhën, Anis Mehmetin dhe Jasir Asanin, duke ofruar alternativa të shumta si në aspektin organizativ ashtu edhe në fazën sulmuese.
Në vijën e parë të sulmit janë përzgjedhur Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Nedim Bajrami dhe Armando Broja, të cilët pritet të mbajnë peshën kryesore në finalizimin e aksioneve.

Skuadra do të nisë grumbullimin të hënën në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku do të zhvillojë seancat përgatitore përpara se të udhëtojë drejt Varshavës të mërkurën. Fokus maksimal dhe përqendrim i plotë janë elementët kyç për një sfidë që mund të përcaktojë fatin e kualifikimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



