Me qindra doza droge me vete, arrestohet 21-vjeçari në Durrës
Një 21-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi u kap me qindra doza heroine dhe kokaine, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për t’u shitur në tregun e paligjshëm të qytetit.
Operacioni i koduar “Pikat” u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, dhe u finalizua në lagjen nr. 16.
Në pranga përfundoi shtetasi me iniciale J. K., 21 vjeç, banues në Shkozet. Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën të riut lëndët narkotike të ndara në doza dhe të gatshme për shpërndarje.
Sipas të dhënave të policisë, në posedim të 21-vjeçarit u sekuestruan gjithsej 297 doza, konkretisht:
- 129 doza heroinë
- 168 doza kokainë
Dyshohet se lënda narkotike do të hidhej në qarkullim në zona të ndryshme të Durrësit.
Arrestimi i të riut është bërë në kushtet e flagrancës, ndërsa operacioni është pjesë e veprimeve të policisë kundër shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, e cila do të vijojë procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe rrethanave të plota të rastit.
Hetimet pritet të ndihmojnë gjithashtu në zbardhjen e origjinës së lëndës narkotike dhe nëse 21-vjeçari vepronte i vetëm apo ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë shpërndarjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



