Me zarfe miliona lekë, denoncimi tronditës ‘shkund’ AKU Shkodër
Emra, akuza, gjoba dhe presione
Situata në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit në Shkodër është kthyer në qendër të akuzave dhe denoncimeve publike, pas pretendimeve për presione ndaj bizneseve dhe kontrolle të dyshuara si abuzive nga inspektorët e institucionit.
Sipas denoncimeve të publikuara, pas shkarkimit të ish-drejtorit të AKU Shkodër, Ramir Haderi, institucioni ka mbetur pa drejtues të emëruar, ndërsa drejtimi i përkohshëm është marrë nga një task forcë e ngritur nga drejtuesja e përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti.

Në këtë strukturë, sipas denoncimeve, janë angazhuar nga Tirana inspektorët Ira Allkoshaj dhe Gentian Halilaj, ndërsa atyre u janë bashkuar edhe inspektorë të AKU Shkodër, mes tyre Ingrid Baba, Erand Muharremi, Arber Nuri dhe të tjerë.
Sipas akuzave të ngritura nga bizneset, kjo skuadër ka nisur kontrolle në subjekte tregtare në Shkodër dhe Velipojë, ku pretendohet se janë kërkuar pagesa nën dorë, me shuma që variojnë nga 1 deri në 5 milionë lekë të vjetra.
Denoncuesit pretendojnë se në këtë situatë janë përfshirë një rrjet supermarketesh, një rrjet picerish, dy pastiçeri, disa dyqane mishi dhe njësi të tjera të vogla tregtare.
Sipas tyre, bizneset prisnin që pas largimit të ish-drejtorit Ramir Haderi të kishte një rritje të kontrollit institucional dhe forcim të zbatimit të ligjit, por pretendojnë se situata ka marrë një tjetër drejtim.
Në denoncimet publike ngrihet pyetja se përse drejtuesja e AKU-së, Blerina Gjylameti dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë reaguar ndaj këtyre akuzave, ndërsa kërkohet transparencë për mënyrën e funksionimit të task forcave dhe kontrolleve të ushtruara ndaj bizneseve.
Denoncuesit kanë sjellë në vëmendje edhe largimet e vitit 2019 në administratë, duke akuzuar qeverinë Rama se atëherë shkarkoi drejtues dhe profesionistë për shkak të një mesazhi, ndërsa sot, sipas tyre, hesht përballë akuzave ndaj zyrtarëve dhe inspektorëve të administratës.
Ata e kanë lidhur këtë situatë me raste të tjera të përplasjeve mes bizneseve dhe institucioneve shtetërore, duke kërkuar që kontrollet të jenë transparente dhe në përputhje me ligjin.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga AKU, Blerina Gjylameti apo personat e përmendur në denoncim lidhur me këto akuza.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



