E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mediat britanike ‘shpërthejnë’ pas deklaratave të Ramës në Londër
Flash

Mediat britanike ‘shpërthejnë’ pas deklaratave të Ramës në Londër

Deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë panelit “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”, zhvilluar në Londër, kanë ngjallur reagime të forta në median britanike, sidomos për komentet e tij lidhur me pasojat e Brexit-it dhe trajtimin e emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në fjalën e tij, Rama kritikoi vendimin e Britanisë për t’u larguar nga BE, duke e cilësuar si një zgjedhje që ka sjellë më shumë vështirësi sesa përfitime. “Ju e latë Evropën sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion,” u shpreh ai, ndërsa komentoi me ironi edhe fenomenin e emigrantëve që kalojnë Kanalin: “Disa i quajnë gomone, disa i quajnë anije të Brexit-it.”

“Daily Express” i ka cilësuar këto si “komente shpërthyese” dhe ka theksuar se Rama ka vendosur në shënjestër direkt pasojat e Brexit-it në ekonomi dhe emigracion. “Ju e latë Evropën sepse donit më pak anije – tani keni më shumë anije. Donit më shumë investime – tani keni më pak investime,” citohet nga gazeta britanike.

Në raportimin e saj, “Daily Express” sjell edhe reagimin e një burimi nga Ministria e Brendshme britanike, i cili ka sulmuar ashpër Ramën për komentet e tij: “Edi Rama nuk ka idenë për çfarë po flet. Nëse ai do të bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të iknin drejt Britanisë në turma. Duhet të kalojë më pak kohë duke folur dhe më shumë duke marrë mbrapsht kriminelët shqiptarë që mbushin burgjet tona.”

Kryeministri shqiptar ka qenë po ashtu i drejtpërdrejtë edhe në lidhje me retorikën politike ndaj emigrantëve, duke u bërë thirrje politikanëve britanikë që “mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveç arsyeve të mira”. Duke komentuar deklaratat e mëhershme të ish-sekretares së Brendshme, Suella Braverman, e cila kishte folur për “kriminelët shqiptarë”, Rama tha me ironi: “Meqë ra fjala, ku është ajo? Thjesht mbaje mend – mos u merr me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë, zhdukesh.”

“The Mirror”, në një shkrim të titulluar “Kryeministri vizitor”, thekson se Rama nuk kurseu as ironinë ndaj opozitës britanike, duke e quajtur qeverisjen “një proces krejt ndryshe nga poezia e opozitës”. Ai vlerësoi përpjekjet e qeverisë laburiste për të adresuar çështjen e emigracionit të paligjshëm dhe kritikoi ashpër etiketimet që, sipas tij, i janë bërë shqiptarëve në mënyrë të padrejtë.

“Udhëheqësi shqiptar u tha atyre që kritikojnë njerëzit nga vendi i tij të ‘mbyllin gojën’ dhe u tall brutalisht me Braverman,” shkruan “The Mirror”, duke shtuar se Rama ka kërkuar respekt për komunitetin shqiptar që kontribuon në shoqërinë britanike dhe nuk duhet të përdoret si armë politike.

Ndërkohë, “The Independent” i ka kushtuar gjithashtu hapësirë deklaratave të Ramës, duke vënë theksin te roli i vendeve të Ballkanit në rrugët e trafikut të emigrantëve. Sipas saj, rreth 22 mijë persona janë kontrabanduar përmes Ballkanit Perëndimor drejt BE-së vetëm vitin e kaluar, ndërkohë që bashkëpunimi rajonal dhe me Britaninë mbetet jetik për frenimin e këtij fluksi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.