Merren vendimet THELBËSORE për studentët, kush nuk paguan tarifat dhe kujt i jepet bursë
Qeveria shqiptare mori sot vendime që konkretizojnë kërkesat e studentëve të përpiluara gjatë protestës së tyre masive për më shumë se dy javë. Tarifa vjetore shlyhet 100 % nga buxheti i shtetit për nxënësit me mesatare mbi 9, dhe studentët në nevojë ekonomike dhe me aftësi të veçanta, ndërsa nuk përfitojnë asnjë mbështetje nga shteti studentët me mesatare nën 6.
Studentët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, të verbërit, para dhe tetraplegjikët, nuk do të paguajnë asnjë lekë për shkollimin në universitete publike, dhe qeveria shqiptare do t’i japë edhe një bursë në vlerën 10 mijë lekë të rinj.
Po ashtu, financim të tarifës së plotë në masën 100 % nga qeveria, do të kenë edhe studentët me mesataren mbi 9. Edhe ata do të marrin një bursë në vlerën 10 mijë lekë të rinj. Deri më tani ligji përcaktonte bursë në vlerë më të vogël, rreth 8 mijë lekë, vetëm për studentët me mesatare 10.
Vendimet u bënë të ditura nga kryeministri Edi Rama në një konferencë të posaçme për mediat, pas mbledhjes që kabineti qeveritar mbajti këtë të mërkurë vetëm për studentët. Por teksa përfitojnë pagesën e tarifës së plotë nga shteti për nivelin e parë të studimeve, për masterin, pra nivelin e dytë, këtyre kategorive qeveria do t’i paguajë nga buxheti i shtetit vetëm 50 % të tarifës. Pra në master një studenti me mesatare mbi 9, një studenti nga familje me ndiohmë ekonomike, të verbërve, para dhe tetraplegjikëve, fëmijëve të policëve të vrarë, etj, shteti do t’i shlyejë 50 % të tarifës.
Por Rama tha se me vitin e ardhshëm akademik, ata studentë që nuk janë me mesatare gjashtë e sipër, do të humbasin çdo mbështetje nga shteti.
“Të gjithë studentët aktualë për pjesën e mbetur të këtij viti akademik, nuk do të paguajnë, por do të paguajë buxheti i shtetit për ta. Në janar të gjitha detyrimet financiare nga këto vendime do t’i mbulojë qeveria. Shlyhet 50% e tarifës për të gjithë studentët e tjerë, ndërkohë që, nga shtatori, që të mbajnë 50% bursën duhet të kenë mesatare mbi 6”, – tha Rama.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Rama tha se është marrë vendim edhe për të ulur kufirin maksimal të pagesës vjetore të shkollimit për studentët, përcaktimi i saktë i kategorive të individëve që e përfitojnë uljen e tarifës, përjashtimin nga tarifa dhe ata që përfitojnë bursa.
Rama tha se vendimet e marra nga kabineti, do të hyjnë në fuqi në muajin janar.
Ndërkohë, kreu i qeverisë tha se qeveria në mesi i muajit janar të vitit 2019, do të bëjë publik edhe Paktin për Universitetin, i cili siç Rama tha, përmban shumë më shumë pika sesa 8 kërkesat e studentëve.
Rama i quajti vendimet e marra, “mjaft të rëndësishme dhe që adresojnë kërkesat e studentëve dhe shkojnë përtej tyre, për ta futur universitetin në një fazë të dytë të një reforme transformuese që nuk duet të zbrapset por duhet të thellohet”
Ndërkohë, sa i përket konvikteve, shefi i mazhorancës tha se do të ketë 3 milionë dollarë shtesë në buxhet, për investime në konvikte.
“Brenda këtij mandati të gjitha konviktet e Shqipërisë do të jenë të rindërtuara”, – tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



