Mirlinda Karçanaj pranon hapur ‘takimet private’ me Ergys Agasin
“Tenderat nuk janë prekur”
Mirlinda Karçanaj ka deklaruar para hetuesve se ka zhvilluar disa takime me Ergys Agasin në zyrën e tij, por ka mohuar me forcë çdo ndikim të saj në favorizimin e tij ose të Ermal Beqirit në procedurat e tenderimit.
Ajo theksoi se nuk mban marrëdhënie sociale me operatorë ekonomikë jashtë detyrës zyrtare: “As nuk pi kafe, as nuk shoqërohem me operatorë ekonomikë jashtë ambientit të punës,” tha Karçanaj.
Megjithatë, ajo pranoi se një rast i vetëm ka ndodhur kur takoi një operator ekonomik rastësisht në zyrën e Ergys Agasit, në kuadër të një konsulence private. Karçanaj sqaroi se njohja me Agasin është e vjetër dhe se disa herë është takuar me të për çështje private në zyrën e tij.
Sipas deklaratës së saj, gjatë një prej këtyre takimeve, Agasi i kishte kërkuar një këshillë për një zgjidhje teknike, në kuadër të një partneriteti që ai planifikonte me një kompani izraelite. Në atë moment, pranë tyre ka qenë edhe Ermal Beqiri, i cili sipas Karçanajt ishte i pranishëm rastësisht.
Ajo shtoi se me Agasin mund të ketë pasur disa takime për shkak të raportit miqësor që kanë, ndërsa për Beqirin, përveç këtij takimi rastësor, e ka takuar vetëm gjatë punës së saj në AKSHI, për çështje që lidhen me mbarëvajtjen e aktiviteteve institucionale.
Megjithatë, Karçanaj mohon kategorikisht çdo përfshirje në favorizimin e Agasit apo Beqirit në procedurat e tenderimit. Fakti që disa takime kanë ndodhur në zyrën e Agasit ngre pyetje, sidomos duke pasur parasysh se hetimet e deritanishme tregojnë se aty janë diskutuar edhe çështje që lidhen me çmimet e tenderave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



