E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mirlinda Karçanit i dhuruan   “Porsche”  Beqiri  me shokë
Drejtësi

Mirlinda Karçanit i dhuruan “Porsche” Beqiri me shokë

Shtyhet seanca në Apelin e GJKKO për dosjen e AKSHI-t, dalin në dritë prova të reja

Seanca në Apeli i GJKKO për të pandehurit e dosjes së AKSHI është shtyrë për datën 5 shkurt, ora 15:00, pa një vendimmarrje mbi kërkesat për zëvendësimin e masave të sigurisë. Seanca maratonë, që zgjati për orë të tëra, u përqendrua te debatet mbi masat aktuale dhe mbi materialet e reja hetimore që, sipas burimeve, janë administruar së fundmi nga prokuroria.

Në sallë ishin të pranishëm edhe prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, të cilët kundërshtuan lehtësimin e masave të sigurisë për të pandehurit, duke argumentuar se hetimi është ende në zhvillim dhe se provat e reja kërkojnë vlerësim të plotë gjyqësor.

Dëshmia e ish-numrit dy të AKSHI-t

Sipas burimeve pranë dosjes hetimore, një nga elementët e rinj është dëshmia e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Ai ka deklaruar para hetuesve të SPAK se vendimmarrjet e tij në institucion janë marrë “nën direktiva të drejtpërdrejta nga eprorja”, duke përmendur me emër ish-drejtoreshën e pezulluar të AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Sipas të njëjtave burime, Shima është përpjekur të distancohet nga përgjegjësia personale, duke deklaruar se roli i tij ka qenë ekzekutues dhe jo vendimmarrës. Në dëshminë e tij përmenden edhe biznesmenë aktualisht në kërkim, por përmbajtja e plotë e këtyre deklarimeve nuk është bërë ende publike.

Lëvizje të dyshimta financiare dhe pasuri

Një nga provat e administruara në dosje, sipas burimeve që kanë parë materialet hetimore, lidhet me një transaksion automjeti luksoz. Bëhet fjalë për një makinë të marrë fillimisht nga Porsche Albania me vlerë rreth 38,700 euro nga një kompani që, sipas hetimit, ka pasur marrëdhënie kontraktuale me struktura të lidhura me AKSHI-n.

Automjeti, sipas skemës së përshkruar në dosje, ka kaluar në disa kontrata radhazi, duke humbur gjurmët e pronësisë fillestare, për të përfunduar te Artan Babameto, i identifikuar si bashkëshorti i Mirlinda Karçanajt, me një çmim blerjeje të deklaruar rreth 9 mijë euro. Hetuesit dyshojnë se kjo diferencë çmimi dhe zinxhiri i kontratave mund të jenë përdorur për të fshehur përfituesin real.

Në dosje përmendet gjithashtu një kontratë qiraje për një apartament, ku përfshihet një kompani e lidhur me biznesmenin Ermal Beqiri, por që sipas hetimit lidhet drejtpërdrejt me interesa të zonjës Karçanaj. Prokuroria dyshon për marrëdhënie financiare të fshehura mes operatorëve privatë dhe zyrtarëve publikë të përfshirë në vendimmarrje tenderash.

Masat e sigurisë dhe kërkesat në Apel

Vendimi për kërkesat e palëve do të jepet më 5 shkurt nga gjyqtari Florjan Kalaja. Mirlinda Karçanaj ka kërkuar heqjen e masës “arrest shtëpie”, ndërsa ish-zyrtari i policisë së Tiranës, Erion Ismailaj, ka kërkuar heqjen e pezullimit nga detyra.

Nga ana tjetër, prokurorët Dumani dhe Maksuti kanë kërkuar që masat aktuale të mbeten në fuqi, duke theksuar se ekziston rreziku i ndikimit në prova dhe në persona të përfshirë në hetim, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes.

Ndërkohë, dy biznesmenët në kërkim, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, nuk kanë paraqitur ankim në Apel dhe ndaj tyre, sipas të dhënave zyrtare, masat e sigurisë ende nuk janë ekzekutuar.

Akuza për grup të strukturuar kriminal

Të pandehurit akuzohen nga SPAK se kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke manipuluar procedura tenderuese dhe duke favorizuar kompani të caktuara në kontrata me vlera të larta publike në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale të shtetit.

Vendimi i 5 shkurtit pritet të jetë një moment kyç, jo vetëm për fatin e masave të sigurisë, por edhe për drejtimin që do të marrë më tej një nga dosjet më të ndjeshme të korrupsionit në sektorin e teknologjisë shtetërore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.