Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të pranojë vetëm pjesërisht kërkesën e zyrtares së Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, për rikthimin e disa pajisjeve të sekuestruara gjatë hetimeve të SPAK.
Kontrollet e kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit, të përqendruara te bashkëjetuesi i saj, shtetasi Renato Hristic, çuan në sekuestrimin e disa pajisjeve elektronike në banesën e zyrtares së policisë. Hetuesit morën tetë telefona celularë dhe dy kompjuterë portativë, të cilët dyshohet se mund të kenë lidhje me çështjen nën hetim.
Gjana kundërshtoi sekuestrimin, duke pretenduar se telefonat celularë ishin pronë e saj personale dhe jo e bashkëjetuesit, ndërsa laptopët i përkisnin fëmijëve të saj. Ajo kërkoi në gjykatë kthimin e pajisjeve, por fillimisht kërkesa e saj u rrëzua, pasi me kërkesë të SPAK u vendos që të mbeteshin nën sekuestro edhe telefonat që i atribuoheshin zyrtares, e cila konsiderohet një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Pas ankimit, Apeli vendosi të ndryshojë pjesërisht vendimin e shkallës së parë, duke pranuar një pjesë të kërkesave të zyrtares për kthimin e sendeve të bllokuara, ndërsa për pjesën tjetër masat e sekuestrimit mbeten në fuqi.
Ky zhvillim lidhet me një hetim më të gjerë të Prokurorisë së Posaçme, e cila disa javë më parë njoftoi zbulimin e një strukture të dyshuar kriminale brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Si drejtues të këtij grupi u shpallën në kërkim dy biznesmenë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Në kuadër të të njëjtit hetim, në arrest shtëpie u vendos drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj, si dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi. Ndërkohë, tre biznesmenë të tjerë dhe një zyrtar policie u lanë në masa më të lehta sigurie, si ndalimi për të dalë jashtë vendit dhe pezullimi nga detyra.
Sipas SPAK, Agasi dhe Beqiri dyshohet se kanë organizuar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Mece me qëllim që ta detyronin të hiqte dorë nga ankesat e tij lidhur me procedurat e tenderimit pranë AKSHI-t.
Vendimi i Apelit u mor më 5 shkurt 2026 nga gjyqtari Florjan Kalaja, në kuadër të shqyrtimit të ankimit ndaj vendimit të shkallës së parë për ligjshmërinë e sekuestrimit të sendeve personale. Gjykata urdhëroi gjithashtu që vendimi të mos publikohet apo dekonspirohet deri në përfundim të hetimeve paraprake, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.







