Momenti i arrestimit të 27-vjeçarit që grabiste me sëpatë (Video)
Një 27-vjeçar i identifikuar si Trazhgim Maçi është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet si autor i një sërë grabitjesh me dhunë në disa qytete të vendit. Sipas hetimeve, ai rezulton të jetë një grabitës serial që ka targetuar taksistë dhe biznese, duke përdorur mjete prerëse dhe objekte të ngjashme me armë zjarri.
Ngjarja e fundit ka ndodhur në aksin rrugor Tiranë–Elbasan, ku i riu, pasi kishte marrë një taksi nga zona e Rinasit, ka kërcënuar shoferin me sëpatë në afërsi të zonës së njohur si “Palmanova”. Nën kërcënim, ai i ka marrë një shumë parash dhe sende personale drejtuesit të mjetit.
Pas denoncimit, policia ka reaguar menjëherë duke organizuar operacionin e koduar “Taksimetri”, i cili çoi në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit në fshatin Qeha, pranë vendit ku kishte ndodhur grabitja.
Nga hetimet e kryera rezulton se 27-vjeçari është i përfshirë në disa raste të tjera grabitjesh. Ai dyshohet se ka vjedhur para në tregun e Fushë Krujës, ka grabitur biznese në Tiranë nën kërcënimin e mjeteve prerëse, si dhe ka sulmuar taksistë në zona të ndryshme si Durrësi dhe Fushë Kruja, duke u marrë para, telefona dhe sende me vlerë.
Në disa raste, përveç grabitjes, ai ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj viktimave. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal të tij dhe për të verifikuar përfshirjen në ngjarje të tjera të mundshme.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



