‘Monologu në tren, njëjtë si Erion Veliaj në fillimet e tij’
Gazetari Berat Buzhala e ka cilësuar si “tepër të rëndë” mosparaqitjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në SPAK, pas ftesës për t’u marrë në pyetje.
Buzhala tha se shmangia e thirrjes nga një prej figurave më të larta të qeverisë përbën një sinjal shumë të keq në raport me drejtësinë.
“Ftesë e tillë nuk është mirë të shmanget. Fakti që Balluku nuk u paraqit në SPAK ka peshë të rëndë për të. Nuk mund të injorosh një institucion si ky,” – u shpreh ai.
“Monologu në tren ishte dëshpërues”
Gazetari komentoi edhe videon që Balluku publikoi gjatë udhëtimit me tren në Zvicër, ku foli për projektet e infrastrukturës.
Sipas Buzhalës, mënyra se si ajo reagoi ndaj situatës ishte “dëshpëruese” dhe i kujtoi fillimet e Erion Veliajt, kur ky i fundit shpesh shmangte komentet për çështje të ndjeshme.
“Monologu i saj në tren ishte dëshpërues. M’u duk si Erioni në fillimet e tij, kur injoronte zhvillimet. Ishte një reagim jashtë realitetit politik që po ndodh në Tiranë,” – tha Buzhala.
“Rama po mbetet pa figura serioze në PS”
Buzhala ngriti dyshime edhe mbi mënyrën se si kryeministri Edi Rama po menaxhon situatën brenda Partisë Socialiste, pas hetimeve ndaj disa figurave të larta.
“Nëse arrestohej edhe Balluku, Rama do të mbetej pa një figurë serioze politike. Ajo pati rol kyç në rritjen e votës në zgjedhjet e fundit. Pyetja është: kë po ruan Rama? Cili është ai ‘segniore’ në PS që ai mund t’i thotë SPAK-ut, këtë mos e prek? Më duket se s’i ka mbetur më njeri,” – tha ai.
Hetimet për Tunelin e Llogarasë
Duke iu referuar hetimeve për Tunelin e Llogarasë, Buzhala theksoi se përgjegjësia e mbikëqyrësit të punimeve është e madhe dhe nuk mund të anashkalohet.
“Mbikëqyrësi ka detyrë të raportojë se si janë marrë punimet nga nënkontraktorët turq. Nuk bëhet fjalë për një shifër të vogël – janë qindra milionë euro. Nëse rruga nuk është përfunduar dhe janë bërë pagesa, përgjegjësia është e jashtëzakonshme,” – deklaroi gazetari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



