E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Mora pushkën, e ndoqa dhe qëllova”, dëshmia tronditëse e Krisjan Sterjos
Lajme

“Mora pushkën, e ndoqa dhe qëllova”, dëshmia tronditëse e Krisjan Sterjos

“E di unë”. Kjo ishte përgjigjja që i riu i dha të atit kur ai e pyeti se përse ishte kthyer në shtëpi. Pas kësaj fjalie fshihet një histori familjare e karakterizuar nga marrëdhëniet e tensionuara dhe një fëmijëri e vështirë, ndërsa sot i riu ndodhet nën akuzë për vrasje.

Marrëdhënia mes babait dhe të birit kishte qenë prej kohësh e acaruar. Kur ishte vetëm dy vjeç, prindërit e të riut ishin divorcuar dhe, sipas të dhënave të dosjes hetimore, ai kishte kaluar një fëmijëri të vështirë.

Në historikun e tij përfshihet edhe një tjetër episod i rëndë, pasi rreth një vit më parë ai kishte plagosur me thikë të atin.

Në dosjen hetimore të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, janë përfshirë dhjetëra dëshmi. Mes tyre janë deklarimet e personave që pretendohet se kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjes, dëshmi të familjarëve dhe deklarimi i një vajze.

Por çfarë ka deklaruar vetë i riu për ngjarjen?

Sipas gazetares Anila Hoxha, Kristjani ka kërkuar që të përfaqësohet nga një avokat i caktuar kryesisht, pasi asnjëri prej prindërve të tij nuk ka mundësi ekonomike për të paguar një mbrojtës.

Para grupit hetimor, ai ka dhënë versionin e tij për konfliktin dhe ngjarjen që pasoi.

Sipas deklarimit të tij, gjithçka ka nisur pas një përplasjeje të mëparshme me Johan Zukon, të cilin ai e njihte.

“Kam qenë i vetëm në trotuarin përpara lokaleve që ndodhen përballë kinemasë. Në rrugën përpara vendit ku ndodhej ai ka kaluar një automjet Mercedes-Benz, C-Class, me ngjyrë të zezë. Targën e automjetit nuk e mbaj mend, por e di që automjeti përdoret ose është në pronësi të Johan Zuko.

Me Johanin, rreth dy javë më parë, kam pasur një konflikt verbal. Shkak i konfliktit ka qenë fakti se Johan Zuko kishte ngacmuar një mikeshë timen. Unë i kam kërkuar që të mos e ngacmojë dhe gjatë konfliktit e kam goditur me pëllëmbë.

Kur ka kaluar me makinë, i fola dhe ai ndaloi. Qëllimi ka qenë të sqaronim konfliktin e mëparshëm me të. Menjëherë pasi automjeti ka ndaluar, i jam afruar te xhami i makinës. Në këtë moment, Johan Zuko ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar të më godasë.

Pas kësaj, Johani ka zbritur nga automjeti dhe është afruar drejt meje, duke u përpjekur sërish të më godasë me thikë. Për të shmangur goditjen, e kam goditur me shkelm. Në automjetin e tij ndodhej edhe një person tjetër, një djalë.

Pasi ka zbritur nga automjeti, ky person më mbajti dhe në atë moment Johani ka tentuar të më godasë dhe më ka sharë me fjalë të pista.

Në këtë moment, disa persona që ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe na kanë ndarë. Pas ndarjes, Johani dhe personi tjetër janë larguar sërish me automjet, ndërsa unë u largova me vrap në drejtim të banesës time.

Më tej, në gjendjen e gjaknxehtësisë, mora armën e zjarrit nga shtëpia, një pushkë. E gjeta më parë këtë armë dhe e mbaja të fshehur në banesë.

E mora nga vendi ku e mbaja fshehur, e futa në një thes të bardhë dhe u nisa në këmbë në drejtim të lagjes ku banonte Johan.

Kur mbërrita, pashë Joanin, i cili ndodhej anash një lokali që gjendet përballë marketit. Pasi e pashë, iu afrova dhe nxora armën. Në momentin kur po afrohesha drejt tij, ai më ka sharë përsëri dhe më pas është larguar me vrap.

Unë e ndoqa nga pas. Ai hyri në një pallat dhe unë shkova pas tij. Në atë vend e kam qëlluar me armë, duke synuar këmbët.

Pas të shtënës, nuk pashë a u plagos apo çfarë i kishte ndodhur, por u largova.

Kur mbërrita te Fusha e Drurëve, e fsheha armën duke e vendosur në disa shkurre dhe më pas shkova në banesë, u ndërrova dhe futa rrobat në lavatriçe.

Më pas dola dhe u futa në një shtëpi të pabanuar, afër shtëpisë time”, ka deklaruar i riu para grupit hetimor.

Dëshmia e tij është vetëm një prej provave dhe deklarimeve të administruara në dosjen e hetimit. Krahas versionit të të riut, autoritetet kanë marrë në pyetje edhe persona të tjerë që kanë dijeni për konfliktin dhe ngjarjen, ndërsa vijon puna për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë penale.

Në qendër të hetimit mbetet përplasja e mëparshme mes të riut dhe Johan Zukos, marrja e armës nga banesa, ndjekja e tij dhe të shtënat me armë zjarri, ndërsa organet proceduese do të duhet të verifikojnë edhe pretendimin e të riut se kishte synuar këmbët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.