E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Moti i keq “mbërthen” Kosovën, shënohet viktima e parë
Bota

Moti i keq “mbërthen” Kosovën, shënohet viktima e parë

Humb jetën 61-vjeçari

Kosova është përfshirë këtë të martë nga një valë moti të keq, e shoqëruar me reshje intensive shiu, stuhi, erëra të forta dhe breshër, duke shkaktuar incidente dhe dëme në disa zona të vendit.

Ngjarja më e rëndë është regjistruar në fshatin Pozheran të komunës së Vitisë, ku një 61-vjeçar ka humbur jetën. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ka rrëshqitur në ballkonin e banesës së tij për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Valon Osmani, bëri të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 16:30. Burri pësoi lëndime të rënda në kokë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.

Policia, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e obduksionit.

Po në të njëjtin fshat, dy persona të tjerë mbetën të lënduar lehtë pasi porta hyrëse e oborrit të banesës së tyre u rrëzua nga era e fortë. Ata morën ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin e Gjilanit dhe më pas u larguan për në banesat e tyre.

Ndërkohë, moti i keq ka përfshirë edhe rajonin e Pejës, ku reshjet e dendura dhe breshëri kanë shkaktuar përmbytje lokale dhe vështirësi në qarkullimin rrugor. Pamjet e publikuara nga banorët tregojnë rrugë të mbuluara nga uji dhe shtresa të dendura breshëri.

Dëme janë raportuar edhe në bujqësi. Breshëri ka goditur sipërfaqe të mbjella, pemishte dhe kopshte, duke shkaktuar humbje për fermerët. Autoritetet pritet të dalin me një bilanc të plotë të dëmeve pas përfundimit të verifikimeve në terren.

Institucionet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë motit të paqëndrueshëm, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve deri në normalizimin e situatës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.