E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mungesa që vret: Raporti i KLSH zbulon skandalin në spitalin onkologjik
Lajme

Mungesa që vret: Raporti i KLSH zbulon skandalin në spitalin onkologjik

Gazetari Osman Stafa ka siguruar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi furnizimin me barna në Spitalin Onkologjik, raport që u dorëzua javën e shkuar në drejtorinë e QSUT-së. Auditimi i periudhës 2021–2025 nxjerr në pah një situatë shqetësuese, ku mungesa e barnave antitumorale ka qenë e gjatë dhe masive, duke vendosur në rrezik serioz jetën e shumë pacientëve.

Sipas raportit, në sistemin e brendshëm të Farmacisë Qendrore, i quajtur Pentaho, janë konstatuar dy medikamente kimio të skaduara, një fakt që thekson edhe më tej keqmenaxhimin.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me barnën daratumumab, e cila përdoret nga pacientët me kancer të gjakut. Edhe pse QSUT ka bërë një furnizim prej 4000 flakonesh në vitin 2025, pacientët raportojnë mungesa të vazhdueshme, duke ngritur dyshime për shpërndarje dhe menaxhim jo transparent.

Raporti nënvizon se nga 253 barna antitumorale të nevojshme, 116 prej tyre nuk janë importuar fare gjatë periudhës së audituar, që do të thotë se 46% e kimioterapive nuk kanë hyrë në Shqipëri. Përveç kësaj, për barnat kritike si “Actinomycin” nuk ka kontrata aktive importi nga drejtoria e QSUT-së. Po ashtu, për barnën Phesgo, e përdorur për gratë me kancer të gjirit, raporti konstaton se në disa periudha gjendja ka qenë zero në farmacinë qendrore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit shpreh shqetësim të veçantë për nënfinancimin e barnave onkologjike nga shteti shqiptar, duke paralajmëruar se kjo situatë rrit rrezikun që pacientët të mos marrin trajtimin e duhur dhe në kohën e duhur.

Ky raport hedh dritë mbi një problematikë serioze në shëndetësinë shqiptare dhe kërkon urgjencë në ndërhyrje për të garantuar që pacientët me kancer të kenë akses të plotë dhe të sigurt në barnat jetësore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.