‘Nami’ nga stuhia gjatë natës në Sarandë, tre persona të plagosur
Një stuhi e papritur ka shkaktuar probleme të shumta në qytetin bregdetar të Sarandës, duke sjellë dëme të konsiderueshme në një kohë shumë të shkurtër. Brenda pak minutash, erërat e forta kanë rrëzuar pemë dhe kanë bllokuar disa akse rrugore.
Situata është përkeqësuar edhe në zonën e shëtitores, ku disa biznese kanë pësuar dëmtime si pasojë e motit të keq. Në një nga rrugët pranë stadiumit, një pishë është rrëzuar mbi automjete, duke dëmtuar tre mjete të parkuara.
Nga të dhënat e urgjencës, bëhet e ditur se tre persona janë paraqitur në spital me lëndime, të shkaktuara kryesisht nga thyerja e xhamave gjatë stuhisë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë larguar në banesat e tyre jashtë rrezikut për jetën.
Pamjet e siguruara nga terreni tregojnë për një situatë me dëme të shpërndara në disa zona të qytetit. Ndërkohë, shërbimet e bashkisë janë angazhuar menjëherë për pastrimin e rrugëve, largimin e pemëve të rrëzuara dhe rikthimin e normalitetit.
Autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes deri në stabilizimin e plotë të kushteve atmosferike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



