Shembet ura në Sinaballaj dhe izolohen 9 fshatra
Rreth mesditës, qarku i Elbasanit u përfshi nga reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët, të shoqëruara herë pas here me erë të fortë dhe rrebeshe të përkohshme. Megjithatë, pavarësisht kushteve të paqëndrueshme atmosferike, të gjitha akset kryesore kombëtare kanë mbetur funksionale dhe të hapura për qarkullimin e mjeteve.
Vështirësitë më të dukshme u shfaqën rreth orës 14:00 në zonën e kthesave të Dragostunjës, ku në rrugë ranë inerte dhe materiale aluvionale. Ky episod solli ngadalësim të përkohshëm të lëvizjes, por pa shkaktuar bllokim total të qarkullimit. Në terren ndodhen forcat e Policisë Rrugore dhe ekipet e mirëmbajtjes, të cilat po ndjekin nga afër situatën dhe po punojnë për pastrimin dhe normalizimin e plotë të kalimit.
Ndërkohë, një situatë më problematike është regjistruar në Njësinë Administrative Karinë, në bashkinë e Peqinit. Në fshatin Sinaballaj është shembur një urë e tipit “Bailey”, duke ndërprerë lidhjen rrugore për disa zona. Fatmirësisht, nuk raportohen dëme në njerëz apo mjete.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shembja e urës mund të ketë ardhur si pasojë e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë orëve të natës, çka ka dobësuar strukturën e saj.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, është ndërprerë qarkullimi për një zonë që përfshin nëntë fshatra të Peqinit, si dhe disa zona përreth Rrogozhinës. Autoritetet lokale bëjnë me dije se po punohet për krijimin e një kalimi të përkohshëm pranë urës së dëmtuar, me synimin për të rikthyer sa më shpejt lëvizjen normale për banorët dhe transportin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



