Lezha përmbytet nga reshjet e shiut, qyteti përballet me vështirësi
Reshjet intensive të shiut gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në qytetin e Lezhës, duke sjellë përmbytje në disa zona urbane dhe vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.
Sasia e lartë e ujit ka vënë në vështirësi sistemin nëntokësor të kanalizimeve, i cili nuk ka arritur të përballojë prurjet, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të përmbytë rrugë e lagje të tëra. Më problematike situata është shfaqur në blloqet e banimit “11 Janari” dhe në zonën “11.2 hektarë” të lagjes Besëlidhja, ku prania e ujit në rrugë ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen.
Për shkak të nivelit të lartë të ujit në disa akse, Policia Bashkiake ka ndërhyrë duke bllokuar përkohësisht qarkullimin dhe duke orientuar mjetet drejt rrugëve alternative, me synim garantimin e sigurisë për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët.
Në përkeqësimin e situatës ka ndikuar edhe projekti në zhvillim për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, punime që prej disa muajsh po realizohen në qytet dhe që synojnë zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve.
Moti i keq ka shkaktuar gjithashtu probleme me furnizimin me energji elektrike, si në qytetin e Lezhës ashtu edhe në disa fshatra përreth. Grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat e prekura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



