E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndahet nga jeta Fatos Nano
Lajme

Ndahet nga jeta Fatos Nano

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Prej më shumë se tre javësh, Nano ishte i shtruar në një spital privat në Tiranë, ku po trajtohej për shkak të problemeve shëndetësore, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojë.

Nano kishte pësuar vdekje klinike (arrest kardiocirkulator) në shtëpi dhe mbahej në vëzhgim nga mjekët.

Nano mbetet një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, themeltar i Partisë Socialiste dhe një prej personaliteteve që ka lënë gjurmë në jetën politike të vendit, duke shërbyer disa herë si kryeministër i Shqipërisë në vitet ’90 dhe 2000.

Nga studiues i ekonomisë në kryeministër

I lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, Fatos Nano u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974.

Dhjetë vjet më vonë, ai arriti kulmin e karrierës së tij gjatë periudhës komuniste si studiues në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, në varësinë e Nexhmije Hoxhës.

Me rënien e regjimit, Nano u përfshi aktivisht në zhvillimet politike të vendit, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit drejt demokracisë.

Në dhjetor 1990, ai u emërua sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më pas zëvendëskryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit. Vetëm pak muaj më vonë, në shkurt 1991, Ramiz Alia i besoi postin e kryeministrit të Shqipërisë, me misionin për të udhëhequr vendin drejt një sistemi demokratik dhe ekonomie të tregut.

Pas zgjedhjeve të para pluraliste, Nano dha dorëheqjen pas një vale grevash që përfshinë gjithë vendin.

Themeltari i Partisë Socialiste dhe periudha e burgut

Një nga meritat e mëdha të Fatos Nanos ishte transformimi i Partisë Socialiste nga një strukturë e trashëguar nga regjimi komunist në një parti moderne socialdemokrate me orientim perëndimor.

Por ardhja në pushtet e demokratëve në vitin 1992 solli për të një periudhë të vështirë.

Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua dhe më pas u dënua me 12 vite burg, nën akuzën për “shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh zyrtare” lidhur me ndihmën italiane.

Pas trazirave të vitit 1997, ai u lirua nga burgu dhe vetëm tre muaj më vonë riktheu socialistët në pushtet, duke udhëhequr PS-në drejt një fitoreje historike.

Në atë periudhë, ai vlerësohet për rikthimin e normalitetit politik dhe ekonomik pas kolapsit të firmave piramidale.

Uljet dhe ngritjet politike

Nano dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit në shtator 1998, pak javë pas vrasjes së Azem Hajdarit, por vijoi të ruante ndikimin në PS.
Ai u rikthye sërish në detyrë në korrik 2002, duke drejtuar qeverinë deri në humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005, kur i dorëzoi pushtetin kundërshtarit të tij historik, Sali Berisha.

Pas largimit nga pushteti, Nano jetoi mes Tiranës dhe Vjenës, duke qëndruar larg skenës politike, por gjithmonë në qendër të diskutimeve sa herë afrohej gara për Presidentin e Republikës.
Megjithatë, dëshira e tij për t’u bërë President nuk u realizua as në vitin 2007, as në 2012.

Jeta personale dhe trashëgimia politike

Jeta e tij familjare ka qenë po aq e luhatshme sa karriera politike.
Pas një martesë 25-vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën kishte dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën, në vitin 2002 ai u martua me Xhoanën, me të cilën qëndroi deri në ditët e fundit të jetës.

I konsideruar si një figurë liberale e së majtës shqiptare, Fatos Nano e shndërroi PS-në në një formacion modern dhe progresiv, duke e pozicionuar si forcë evropiane të majtë.

Në vitin 2005, pas humbjes së zgjedhjeve, ai u tërhoq përfundimisht nga politika, duke qenë i vetmi lider i tranzicionit që dha dorëheqje për të mos u rikthyer më.

Fatos Nano mbetet një nga emrat më të rëndësishëm në historinë politike të Shqipërisë moderne — një figurë komplekse, që la pas një trashëgimi të fortë në politikë, në debatin publik dhe në mënyrën si u ndërtua e majta shqiptare pas komunizmit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.