Ti Erion nuk vlen as sa një lavatriçe!
Nga Beti Njuma / Kam 13 orë që pres të dëgjoj justifikimin e Erion Braçes për votën pro reformës territoriale. Hiçgjë ende. Erioni po mendohet. Akoma! Dhe do të mendohet gjatë se si e lëpiu atë që pështyu me neveri, kur kundërshtonte siç do të bënte çdo njeri me integritet.
Çfarë ndryshoi? Presioni, shantazhi, apo “dashuria” për partinë doli më e fortë se bindjet? Po ç’do humbiste Braçja nëse përjashtohej?
Asgjë! Veç i fituar do të dilte: para njerëzve që e kanë votuar, para atyre që i kanë besuar dhe para atyre që nisën ta simpatizonin pikërisht për kundërshtimin e një reforme asgjësuese.
Sa pak burrëri! Sa pak këllqe nga një njeri me 30 e kusur vite si deputet! Çfarë hendeku mes asaj që mendon dhe thotë dhe asaj që bën. Erion Braçe kishte shansin të hynte në histori për qëndresën e tij, ashtu si Mariana Koçeku. Mjerisht, zgjodhi rreshtimin. Do të mbahet mend vetëm si një koleg i Zeqinesë, e cila të paktën është më e sinqertë në puthadoren e saj!
Fundja asgjë e re nga fronti i socialistëve të Ramës (se atë të Nanos e ka harruar Erioni). Nënshtrimi i kafshës ndaj të zotit është total dhe ka shkërmoqur çdo ndërgjegje njerëzore apo politike.
Ndaj me vjen ta mbyll me një shprehje të Fatos Nanos: Ti Erion nuk vlen as sa një lavatriçe!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



