E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndahet nga jeta historiani Muharrem Dezhgiu
Lajme

Ndahet nga jeta historiani Muharrem Dezhgiu

Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare historiani dhe studiuesi i njohur shqiptar, prof. dr. Muharrem Dezhgiu. Lajmi është bërë i ditur nga Instituti i Historisë, i cili ka shprehur keqardhjen për humbjen e një prej studiuesve të respektuar të këtij institucioni.

Dezhgiu i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës kërkimit shkencor, studimit dhe dokumentimit të historisë së Shqipërisë. Kontributi i tij shtrihet në disa prej periudhave më të rëndësishme dhe më të debatueshme të historisë shqiptare të shekullit XX.

Prof. dr. Muharrem Dezhgiu lindi më 1 shtator 1944 në Guri i Bardhë të Matit. Gjatë karrierës së tij akademike, ai u angazhua në studimin e zhvillimeve politike dhe shoqërore të Shqipërisë, duke lënë pas një numër të konsiderueshëm botimesh historike.

Ndër veprat e tij përfshihen studime mbi Shqipërinë gjatë pushtimit italian dhe atij gjerman, periudhën e Luftës së Dytë Botërore, si dhe zhvillimet politike të Shqipërisë pas vitit 1944.

Mes botimeve të tij veçohen “Veprimtaria e shtetit të ri të demokracisë popullore (maj-nëntor 1944)”, “Shqipëria në luftë (1939-1944) – studime dhe refleksione”, “Anastas Lula – disidenti i parë në PKSH”, si dhe studimet “Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943)” dhe “Shqipëria nën pushtimin gjerman (shtator 1943 – nëntor 1944)”.

Dezhgiu ishte gjithashtu bashkautor i veprës “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” dhe një prej autorëve kryesorë të botimit “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, një ndër punimet e rëndësishme të Institutit të Historisë. Ai ka kontribuar edhe në hartimin e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”.

Instituti i Historisë ka vlerësuar kontributin e tij në historiografinë shqiptare dhe ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e historianit.

Ndarja nga jeta e prof. dr. Muharrem Dezhgiut shënon humbjen e një studiuesi që i kushtoi dekada punës për dokumentimin, interpretimin dhe pasurimin e njohurive mbi historinë kombëtare shqiptare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.