Ndahet nga jeta piktori i njohur shqiptar i filmit
Kinematografia shqiptare ka humbur një nga figurat e saj të spikatura. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi ndarjen nga jeta të piktorit të filmit Shyqyri Sako, i cili u shua në moshën 89-vjeçare, pas një karriere të gjatë dhe të pasur artistike.
Me rreth pesë dekada krijimtari, Sako dha një kontribut të rëndësishëm në artin pamor të filmit shqiptar, veçanërisht në ndërtimin e dekoreve dhe identitetit vizual të shumë prodhimeve kinematografike.
Ai ndoqi studimet për pikturë filmi për tre vite në Institutin e Artit VGIK në Moskë, përpara se të diplomohej në Tiranë. Në vitin 1963 nisi punën në Kinostudio, duke marrë pjesë si piktor filmi në realizimin e veprës së tij të parë “Detyrë e posaçme”. Gjatë karrierës, ai kontribuoi në një sërë filmash të njohur shqiptarë, deri në projektin e fundit “Plumba prej plasteline” në vitin 1997, kur edhe doli në pension.
Puna e tij u vlerësua ndër vite, ku u nderua me medaljon në Festivalin e 4-t të Filmit Shqiptar për realizimin e dekoreve dhe rekuizitave në filmin “Mësonjëtorja”.
Përveç kontributit në film, Sako ka lënë gjurmë edhe në krijimin e afisheve artistike, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ruhen sot si pjesë e trashëgimisë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Institucioni i shprehu ngushëllimet familjes dhe miqve të të ndjerit, duke vlerësuar figurën dhe veprën e tij që mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së kinematografisë shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




