Film i ri hollivudian me Skënderbeun?
Filmi i parë i kohës së Enverit është film idiot dhe shumë i dobët.
Aty Gjergj Kastrioti, princ i cili kishte jetuar në Edrene në kryeqytet të perandorisë e kishte marrë pjesë në fushata ushtarake kudo, kishte jetuar me sulltan e vezirë, ishte personalitet në lidhje me Papë e mbretër, na paraqitet si kryetar komune që bën me t’thyme dore me bariun me qingj.
Paraqitet edhe si hajvan i cili te skena në Berat me Donikën rri e thotë se te ato kodra mue më duket sikur janë fsheh turqit e do të dalin. Për më tepër, përveçse si njeri që nuk pranon të pijë ilaçet dhe ia jep Donika ilaçin duke i thënë Gjergj mos u bëj i keq, ai paraqitet si njeri që nuk mban mend përvjetorin e martesës dhe ia kujton Donika e cila paraqitet si tip instagrami e cila e ka të rëndësishme që burri t’i mbajë mend përvjetorin e martesës, a thua se këto gjëra kishin rëndësi në vitin 1460.
E kur Topia ikën prej dasmës së Muzakës, Skënderbeu paraqitet duke ua bërë “Brrrrrrrr” si deleve, a thua se ishte shofer fugoni që pret pasagjer në Laç apo Cerrik dhe tallet me bashkëfshatarët që kanë dalë në qytet.
Gjergj Arianiti paraqitet si plak prej Labërie i cili ka lënë sopatën e druve dhe tufën e deleve dhe ka shkuar në Lidhjen e Lezhës duke iu bërë moral prej plaku katunar. Arianiti ishte tip despoti. Ishte krushk i mbretit të Serbisë asokohe shtet i fortë dhe motra e Donikës, Angjelina, sot është Shën Angjelina. Nuk ka qenë Gjergj Arianiti në atë tipologji siç e paraqesin këta në film. Ka qenë despot i fortë. Pastaj aty në film Arianiti thotë “Ç’më fryheni si gjela deti”. Gjeli i detit është zbuluar shekuj më vonë në Amerikë kur u zbulua Amerika. Skenaristi i dobët e pa dijeni.
Lekë Dukagjini paraqitet si sekretar i Skënderbeut i cili i dorëzon Kanunin e i thotë mblodha me kujdes këto ligje. Dhe Skënderbeu i thotë se dikur këto ligje do të quhen Kanuni i Lek Dukagjinit. Atë Kanun nuk e ka shkruar asnjëherë Lek Dukagjini, hera e parë kur u shkrua kanë qenë vitet 1930 prej Shtjefën Gjeçovit. Kanuni nuk është i Lekë Dukagjinit por janë ligje të popullsive ilirike-arbëre 1000 vjet para Lek Dukagjinit. Perandori romak i Kostandinopojës, Theodosi, rekomandon prefektin e Ilirikumit Vir Nikoman Flavian dhe i thotë të shfuqizohet e drejta e parablerjes mbi pronat. Parablerja është kjo që kemi ne me kanun që kur shet tokë duhet tia ofrosh kufitarit fillimisht. Pra ne rrejmë edhe për veten tonë. Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit me konotacion gjeografik sepse ka qenë kanun i rajoneve Lekë e Dukagjin. Lekët janë në Shqipërinë Veriperëndimore të sotme ndërsa Dukagjini kap Mirditë, Pukë (Dukagjin i Vjetër) e deri në Dukagjin të Rrafshit sot në Kosovë.
Sa për ta ditur, Lekë Dukagjini gjysmën e kohës nuk ka shkuar mirë me Skënderbeun; kanë qenë në teh të shpatës. Leka nuk u fut në Lidhjen e Lezhës. Skënderbeu e denoncoi te Papa dhe i kërkonte shkishërimin e tij si aleat të turqve. U bashkuan vonë me aleancë kur tre liderë, Skenderbeu, Lek Dukagjini e Nikollë Moneta i Shkodrës, marshuan në Krujë dhe vranë Ballaban Pashën me një betejë spektakolare.
Ballabani mandej nuk paraqitet shumë në film. Ballabani ishte “kryeministri” zyrtar kuisling i Arbërisë. Quhej Mhill Badera prej Martaneshi i cili mori emrin Ballaban. Ai ishte pushteti zyrtar pro-osman. Ishte sanxhakbej i Ohërit, sanxhak i cili shtrihej deri në Durrës e në krejt Shqipërinë e Mesme. Sanxhakbeu ishte përfaqësuesi personal ushtarak i sulltanit. Sunduesi zyrtar i vendit, vritet nga një marshim i madh që tre udhëheqësit “aplinë” ndërmarrin kundër trupave të tij në Krujë.
Topia paraqitet si anëtar i këshillit bashkiak i dalë në këshill me blerje vote 50 euro vota dhe që zemërohet pse kryetari i bashkisë nuk po i merr nja dy nipa në punë. Karl Topia para këtij, ka qenë princ i Shpisë së Francës, djali i Helenës së Anzhuve, edhe pse me zor; pasi i ati Andrea pati rrëmbyer princeshën anzhuine të Napolit dhe bëri fëmijë me të, Karlin. Baba mbret në Itali u shtir sikur i fali i ftoi për vizitë dhe i vrau. Ishin sundimtarë të sertë e guximtarë. Filmi i paraqet ordinerë.
Në atë film Skënderbeu paraqitet siç nuk ka qenë sepse është tentuar të paraqitet nën frymën e kohës së komunizmit. Paraqitet si fshatar që bërtet hohohohooo, dhe bashkon masat koperativiste fshatare në luftë. Ai që u quajt Gjergj Kastriot Skënderbeu ka qenë politikan e sundimtar i nivelit më të lartë për kohën; me karrierë ushtarake të spikatur në shtet, me pesë gjuhë të huaja dhe lojtar i fortë i politikës. Çdo shtet normal e serioz do ta paraqiste ashtu siç ai ishte në të realitetin e kohës, pasi mjafton ta paraqesësh siç ishte e të bën nder. Skena më brilante dhe emocionuese deri në përlotje në atë film është vetëm ajo me Lukë Kaçajn i cili këndon atë këngën me djalin e vogël përdore.
E shkruajta gjithë ketë shkrim të gjatë për të thënë se këta delinkuentë ta denigrojnë historinë, ta keqinformojnë njerëzinë duke iu dhënë si film botëkuptimin e tyre të shpërfytyruar të momentit. Nuk iu duhet lënë asgjë në dorë këtyre. Se ishte çuar një ish ministër i quajtur Ben Blushi dhe kishte propozuar që duhet bërë një film i ri me Skenderbeun duke ia përshtatur kontekstit të sotëm europian me emigracionin arab e magrebian në Europë. Sa shtazë munden të jenë. Pra nuk duan të xhirojnë një film duke u bazuar mbi të vërtetën historike dhe kontekstin historik që të lartësohemi kulturalisht e të kemi prestigj kulturor por duan ta përdorin për së dyti figurën e Skënderbeut. Ta përdorin për mediokriterin e tyre.
Për filma duhet të marrim shembull nga Europa e Amerika ku ka pasur skenaristë e regjisorë shumë të aftë e të guximshëm për të krijuar skenare mbi diturinë. Mjafton të shohësh filmin The Kingdom of Heaven si në asnjë moment skenaristi nuk e denigron figurën e Saladinit por e jep ashtu siç ka qenë. Këta edhe na mburren si mbrojtës të kulturës perëndimore edhe na dëshmojnë se skanë asnjë lidhje me atë qytetërim; kanë mbetur sekretarë kulture të Partisë së Punës, veçse me më shumë para e pasuri.
Filmi me Skënderbeun duhet të financohet në Hollywood për interesa shtetërore si brand ndërkombëtar i shqiptarëve. Mirëpo skenari nuk u duhet lënë në dorë këtyre lloj shqiptarëve se ta denigrojnë. U duhet lënë në dorë skenaristëve e regjisorëve amerikanë e europianë sepse ata janë të dëshmuar se dijnë./ Indrit Vokshi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



