Ndaleni arrogancën e oligarkinë/Timonieri që kanabizoi e kriminalizoi vendin duhet ndalur me votë!
Ditën e nesërme shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të vendosur se cila do jetë qeveria e ardhshme që do drejtojë vendin në 4 vite. Por para se të hyjmë në analizën e votës së 25 qershorit, natyrshëm pyetja që ngrihet paraprikisht është: çfarë ka ndodhur me Shqipërinë në këto katër vitet të qeverisjes së ekzekutivit “Rama”?
Që nga dita e marrjes së detyrës në shtator të 2013-ës, madje në ditët e para të jetës së saj, qeveria “Rama” nuk i kurseu shkeljet e ligjit dhe kushtetutës. Shkeljet me ligjin e nëpunësit civil dhe greva e të shkarkuarve nga puna ishte e para përplasje mes qeverisë dhe qytetarëve. Vetëm dy muaj nga marrja e pushtetit, kur Rama ende nuk kishte ngrohur mirë kolltukun e kryeministrit, në fshehtësi të plotë ndaj shqiptarëve, kishte nisur negociatat për sjelljen e armëve kimike siriane për demontim në Shqipëri. Ishte reagimi mbarëpopullor që e detyroi kryeministrin të bënte prapa-kthehu nga rruga ku synonte ta përfshinte vendin.
Nga këtu rruga e “Rilindjes” u kthye në sterr, pasi krimi pentroi fort në Parlament dhe administratën publike. Deputetë të PS-së me rekorde kriminale dhe mjaft nënpunës të përfshirë në administratë me një të shkuar të fortë penale, i dhanë shtetit ngjyrime të “zeza”. U desh bojkoti 6- mujor i opozitës dhe këmbëngulja për ligjin e dekriminalizimit që të paktën inkriminimi në masë i mëtejshëm i politikës dhe administratës të frenohej. Kjo ndoshta ishte e keqja më e madhe që qeverisja e Ramës i solli vendin.
Por nuk mund të ndalemi këtu, pasi një tjetër e keqe që kjo qeveri solli si prurje te saj eskluzive ishte fenomeni i drogës. Si asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë, madje edhe kur Lazarati lulëzonte, vendi në 4-vitet e qeverisjes “Rama” u mbush nga të katërta anët e tij me kanabis. Aq i thellë u bë ky fenomen, sa shqetësimi për drogën kaloi kufijtë e vendit. Të përditshme ishin tonët e drogës të kapur në kufijtë e vendit nga partnerët, sidomos në dy shtetet fqinj Itali e Greqi. U duk se në këto vite qeveria dhe forca blu nuk ekzistonin për trafikantët e drogës. Ata lëviznin lirshëm e pa asnjë druajtje kanabisin e mbjellë thuajse në çdo cep të Shqipërisë përtej birgjeve të vendit. Në këtë çështje, krahas kundështisë së fortë të opozitës, PS u përball edhe me kritikat e pandalshme të aleatit, LSI. Si asnjëherë më parë, një ministër i Brendshëm po akuzohej me prova të forta për lidhje me trafikantët, gjë e cila duket se ndikoi mjaftueshëm (sic është zbardhur edhe në ditët e sotme me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve), në shkarkimin e tij nga detyra.
Megjithatë “Rilindja” e Ramës nuk u ndal me kaq. Koncensionet ishin “vepra” e rradhës e qeverisë, ku miliona euro ju dhanë klientëve pranë kryeministrit ose ministrave. Interesi qytetar u shkel me këmbë në favor të interesave klienteliste. Vetëm koncensionet në shëndetësi u kthyen në një skandal më vete, pasi qindra miliona eurot për Chek-Up dhe dializën ju dhanë kompanive pa nam e nishan, por që kishin vetëm një meritë: ishin klientë të kryeministrit.
Ndërkohë sot kryeministri po kërkon me ngulm timonin për të bërë 4-fish më shumë reforma se sa bëri në këto vite. Po për cilat reforma flet kreu i qeverisë? Për reformën në drejtësi , e cila në rast se nuk do haste murin e PD-së dhe LSI-së do kishte shkuar një një plan malinj për kapjen e sistemit nga kukullat e kryeministrit. Apo për reformën administrative-territoriale, e cila më shumë se sa një lehtësim për vendin u kthye në një ndarje me ngjyrime politike. Apo mos ndoshta kryeministri nderohet me reformën në energji, ku shumë qytetarë u dendën burgjeve sepse nuk kishin mundësi të paguanin faturën e dritave? Apo mos ndoshta kryeministri flet për reformën e pensioneve, ku për këta të fundit Rama nuk u kujtua asnjëherë në 4 vite dhe të vetmen rritje për rroga e pensione e bëri në mars të 2017-ës, tre muaj para zgjedhjeve? Për cilat reforma do katërfishim kreu i qeverisë?!
Të gjitha këto duhet të mendojnë qytetarët shqiptarë para se të hedhin votën ditën e nesërme në kutinë e votimit. Një votë për timonierin arrogant e keqqeverisës apo një votë për ta ndalur cirkun e Rilindjes? Gjithçka mbetet në dorën e shqiptarëve….
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



