Ndodh edhe kjo! Adolf Hitler drejt fitores së zgjedhjeve
Një zonë e vogël zgjedhore në Namibi po shkon sot drejt kutive të votimit dhe, sipas të gjitha gjasave, do të rizgjedhë një nga figurat më të komentuara të skenës së tyre politike, Adolf Hitler Uunona.
59-vjeçari është pjesë e Organizatës Popullore të Afrikës Jugperëndimore (SWAPO), forca politike që ka dominuar vendin që prej pavarësisë nga Afrika e Jugut në vitin 1990. Uunona mban poste lokale prej më shumë se dy dekadash: u zgjodh për herë të parë si këshilltar në zonën Ompundja në rajonin Oshana në vitin 2004, dhe prej atëherë ka siguruar rizgjedhje në vitet 2015 dhe 2020.
Në zgjedhjet e 2020-s, ai arriti një fitore të thellë me 85% të votave, duke u bërë menjëherë subjekt i vëmendjes ndërkombëtare për shkak të emrit të tij të pazakontë. Në një intervistë për gazetën vendase The Namibian, ai sqaroi se nuk ka asnjë lidhje me ideologjinë apo figurën historike të Adolf Hitlerit.
“Babai im më ka vendosur këtë emër, por kjo nuk më përcakton,” shpjegoi ai. “Unë nuk kam asgjë të përbashkët me Adolf Hitlerin e Gjermanisë. Ai ishte një person kontrovers, që vrau dhe persekutoi njerëz në mbarë botën. Nuk kam as karakter, as sjellje që lidhen me të.”
Emrat gjermanikë nuk janë të rrallë në Namibi, një vend që ka kaluar nën sundimin kolonial të Gjermanisë nga viti 1884 deri më 1915.
Shumë prej tyre, përfshirë edhe emrin e Uunonës, vijojnë ende të përdoren, një trashëgimi e drejtpërdrejtë e asaj periudhe historike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



