E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndryshime në Qeveri, zbardhen lëvizjet e fundit
Lajme

Ndryshime në Qeveri, zbardhen lëvizjet e fundit

Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku u miratuan një sërë vendimesh që prekin fushën e ekonomisë blu, sigurinë, administratën publike dhe disa ndryshime në poste drejtuese.

Emërime dhe lirime nga detyra

Në kuadër të riorganizimit të disa institucioneve, qeveria ka bërë këto ndryshime:

  • Armela Baka është emëruar zëvendësministre e Arsimit, duke zëvendësuar Endrit Hoxhën, i cili lirohet nga kjo detyrë.

  • Martin Kajo merr detyrën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa Sokol Duma largohet nga pozicioni që mbante.

  • Në nivel vendor, Holta Duda është caktuar prefekte e Qarkut të Shkodrës, në vend të Majlinda Angonit.

  • Albana Hasanaj emërohet prefekte e Qarkut të Gjirokastrës, duke pasuar Odise Koten.

Ndryshime janë bërë edhe në Këshillin Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës:

  • Viola Haxhiademi zëvendëson Ermal Nufin si përfaqësuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

  • Dritan Palnikaj merr vendin e Alban Mësonjësit si përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Vendime për peshkimin dhe mbrojtjen e mjedisit detar

Një nga pikat kryesore të mbledhjes ishte miratimi i rregullave të reja të inspektimit për të parandaluar dhe kufizuar peshkimin e paligjshëm, të parregulluar dhe të paraportuar (PPP).

Vendimi parashikon krijimin e një skemë certifikimi për zëniet në peshkim, si për importin ashtu edhe për eksportin e produkteve të peshkut.

Këto masa synojnë forcimin e kontrollit në aktivitetet e peshkimit, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin “Për peshkimin”.

Projektligj i ri për aksesin në veprat e botuara

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave ka propozuar për miratim në Kuvend projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit, që lehtëson aksesin në materiale të botuara për personat e verbër dhe ata me vështirësi në leximin e teksteve të shtypura.
Ky traktat, i nënshkruar në Marrakesh më 27 qershor 2013, synon të garantojë të drejta më të gjera për përfshirjen dhe aksesin në informacion të personave me aftësi të kufizuara.

Agjencia për Media dhe Informim (AMI) bëri me dije se vendimet e miratuara sot janë pjesë e një pakete më të gjerë reformash për përmirësimin e administrimit publik, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përshtatjen me standardet ndërkombëtare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.