PS nis “sprintin” në Pogradec, Rama mbledh drejtuesit dhe ministrat
Ditët e fundit të gushtit po shoqërohen me një intensifikim të aktivitetit politik brenda Partisë Socialiste, e cila tashmë qeveris vendin në mandatin e katërt. Kryeministri Edi Rama pritet ta nisë sesionin e ri politik me një seri takimesh në Pogradec, ku në qendër do të jenë performanca e qeverisë, dokumentet e brendshme të PS-së dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Sot, rreth orës 11:30, në vilën qeveritare në Pogradec pritet të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, një prej çështjeve kryesore të diskutimit do të jenë dokumentet “Besa” dhe “Prania e Besës”, të cilat iu dorëzuan grupit parlamentar socialist në fund të korrikut.
Nga takimi pritet që Rama të marrë në shqyrtim reflektimet dhe propozimet mbi këto dy dokumente, me synimin për t’i pasuruar ato dhe për të çuar përpara hartimin e një dokumenti përfundimtar. Paralelisht, në axhendë pritet të jetë edhe puna për përgatitjen e strukturave socialiste për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Rama mbledh ministrat në Pogradec
Aktiviteti politik do të vijojë edhe gjatë mbrëmjes së së dielës. Rama, drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat pritet të zhvillojnë një darkë të përbashkët, e cila do të shërbejë edhe si një moment informal përpara takimit të së hënës.
Të hënën, në vilën qeveritare të Pogradecit do të zhvillohet ajo që në gjuhën politike njihet si “retreat” i qeverisë, një mbledhje informale ku ministrat do të raportojnë mbi punën e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Në ndryshim nga takimet e mëparshme të këtij formati, këtë herë nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat. Raportimi do të zhvillohet nga ministrat dhe drejtuesit e agjencive që varen prej tyre.
Në fokus do të jetë ecuria e punës së ministrive gjatë tetë muajve të parë të vitit, ndërsa, siç ka ndodhur edhe në retreatet e mëparshme, pjesë e vlerësimit pritet të jetë edhe mënyra se si ministrat kanë qenë të pranishëm në media dhe në rrjetet sociale.
Asambleja e PS-së pritet në fillim të shtatorit
Axhenda politike e Edi Ramës nuk pritet të ndalet me takimet e Pogradecit.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së, një forum që në të kaluarën ka shërbyer si një prej momenteve kryesore për vendimmarrje dhe riorganizim brenda partisë.
Mbledhjet e mëparshme të Asamblesë Kombëtare Socialiste janë përdorur nga Rama edhe për të bërë të ditura ndryshime në kabinetin qeveritar.
Për këtë arsye, nisja e një cikli të ri takimesh politike në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit pritet të ndiqet me vëmendje, jo vetëm për sa i përket performancës së ministrave dhe strukturave të PS-së, por edhe për sinjalet që mund të japë kryeministri lidhur me organizimin e mazhorancës në prag të një tjetër cikli elektoral.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



