Rama u bën gati ‘letrat’ 6 ministrave? Numërimi mbrapsht ka nisur
Ditët e gushtit po shkojnë drejt fundit, por brenda Partisë Socialiste, e cila qeveris vendin për një mandat të katërt, temperaturat politike duket se po rriten. Shkak është nisja e vrullshme e sesionit të ri politik nga kryeministri Edi Rama, i cili ka programuar një seri takimesh të rëndësishme gjatë kësaj fundjave dhe fillimit të javës së ardhshme në Pogradec.
Takimi i parë do të zhvillohet të dielën, në orën 11:30, në vilën qeveritare të qytetit liqenor. Aty pritet të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, në qendër të diskutimeve do të jenë dokumenti “Besa” dhe një tjetër dokument i njohur si “Prania e Besës”, i cili i është dorëzuar grupit parlamentar socialist në fund të korrikut.
Nga ky takim, Rama pritet të marrë reflektimet e drejtuesve socialistë mbi dy dokumentet, me synimin për t’i pasuruar ato dhe për të avancuar drejt një dokumenti përfundimtar. Në axhendë pritet të jenë gjithashtu edhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Pas takimit të së dielës, mbrëmja do t’i gjejë Ramën, drejtuesit politikë, kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare dhe ministrat në një darkë të përbashkët. Takimi pritet të shërbejë edhe për uljen e tensioneve politike të gushtit, përpara asaj që të hënën do të jetë një tjetër moment i rëndësishëm, i cilësuar si “provimi i performancës” së qeverisë.
Po në Pogradec, në vilën qeveritare, do të zhvillohet edhe mbledhja informale e qeverisë, e njohur si “retreat”. Gjatë këtij takimi, ministrat do të raportojnë për punën dhe ecurinë e dikastereve që drejtojnë gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Këtë herë, ndryshe nga takimet e mëparshme të këtij formati, në mbledhje nuk do të marrin pjesë zëvendësministrat. Në fokus do të jenë ministrat dhe drejtorët e agjencive në varësi të tyre.
Ashtu si në “retreatet” e viteve të kaluara, raportimet e ministrave nuk pritet të kufizohen vetëm te performanca e dikastereve. Secili prej tyre do të raportojë gjithashtu edhe për prezencën mediatike dhe aktivitetin në rrjetet sociale.
Por axhenda politike e Ramës nuk përfundon me takimet e Pogradecit.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, me shumë gjasë në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.
Mbledhjet e mëparshme të Asamblesë janë përdorur nga Rama edhe si një moment për të bërë ndryshime në kabinetin qeverisës. Për këtë arsye, tashmë ngrihet pikëpyetja nëse edhe mbledhja e ardhshme do të shërbejë si moment për ndryshime në qeveri.
Në qarqet politike po qarkullon pikërisht pyetja nëse Edi Rama mund të ndryshojë drejtimin e të paktën gjashtë ministrive.
Në pritje të zhvillimeve të reja, “sprinti” politik i kryeministrit duket se sapo ka nisur, ndërsa takimet e Pogradecit dhe mbledhja e pritshme e Asamblesë Kombëtare në shtator mund të japin sinjalet e para për drejtimin që do të marrë qeverisja në muajt e ardhshëm.
Numërimi mbrapsht ka nisur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



