Ndryshimet në Policinë e Shtetit, Ervin Hodaj emërohet drejtor në Durrës
Ndryshimet në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit vijojnë, me lëvizje të reja në drejtimet e policive vendore.
Ervin Hodaj është emëruar zyrtarisht në postin e drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit, duke i dhënë fund periudhës disa mujore gjatë së cilës ai e kishte drejtuar këtë strukturë i komanduar.
Ndërkohë, ndryshim ka edhe në krye të Policisë së Tiranës. Këtë të mërkurë, Oliger Torba është emëruar drejtor i Policisë së kryeqytetit, post të cilin e kishte mbajtur deri tani në mënyrë të komanduar.
Torba ishte vendosur në këtë detyrë më 25 maj 2026, pas largimit të drejtorit të atëhershëm Elton Alushi.
Emërimet e reja janë pjesë e një serie lëvizjesh që kanë nisur prej ditësh në nivelet drejtuese të Policisë së Shtetit.
Një ditë më parë u raportua se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kishte firmosur disa ndryshime në strukturat drejtuese. Në kuadër të tyre, Kastriot Skënderaj u emërua në drejtimin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, duke zëvendësuar Fatmir Hoxhën.
Lëvizjet kanë prekur edhe strukturat drejtuese në Tiranë. Kryekomisari Dashnor Muhaj është transferuar nga pozicioni i zëvendësdrejtorit për Rendin në një detyrë si specialist në Departamentin për Kufirin, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, Berati vijon të jetë në pritje të emërimit të një drejtuesi të ri të policisë vendore. Pozicioni mbeti vakant pas transferimit të Luigj Vathit, i cili u emërua drejtor i Kufirit në Korçë.
Për drejtimin e Policisë së Beratit ishte propozuar Gjovalin Loka, por sipas raportimeve ai nuk e ka pranuar detyrën, duke kërkuar që të marrë drejtimin e një qarku tjetër.
Ndryshimet në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit pritet të mos ndalen këtu. Sipas informacioneve të raportuara më herët, pas lëvizjeve në Elbasan dhe emërimeve të reja në Tiranë e Durrës, priten ndryshime edhe në të paktën katër qarqe të tjera.
Megjithatë, deri tani nuk janë bërë të ditur zyrtarisht emrat e drejtuesve që mund të transferohen apo zëvendësohen në kuadër të këtyre lëvizjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



