Ndryshojnë rregullat e transportit urban, tetori vjen me lajme të mira
“Kur vjen autobusi dhe a është plot?”
Fundi i biletave të printuara nga 1 janari 2027, qytetarët do kontrollojnë gjithçka nga telefoni
Pyetjet e përditshme të udhëtarëve të transportit urban në Tiranë, si “Kur vjen autobusi?”, “Sa do të vonohet?” apo “A ka ardhur tjetri?”, pritet të marrin përgjigje përmes një sistemi të ri teknologjik që do të nisë të funksionojë në muajt e ardhshëm.
Deri më 30 shtator, operatorët e transportit urban dhe ndërqytetas duhet të pajisin autobusët me GPS. Sistemi do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale lëvizjen e mjeteve përmes aplikacioneve që do të vihen në dispozicion.
Përmes GPS-it, udhëtarët do të mund të shohin vendndodhjen e autobusit, lëvizjen e tij dhe, në varësi të sistemit, edhe informacionin mbi kohën e pritshme të mbërritjes në stacion. Synimi është reduktimi i pritjeve të panevojshme dhe krijimi i një shërbimi më të parashikueshëm për qytetarët.
Dashnor Memaj, përfaqësues i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, e konsideron këtë ndryshim një hap drejt zgjidhjes së një prej problemeve të vazhdueshme të transportit publik.
Sipas tij, informacioni në kohë reale do t’u japë udhëtarëve mundësinë të planifikojnë më mirë lëvizjet e tyre dhe të kenë një pasqyrë më të qartë të situatës në linjat e autobusëve.
Detyrimi për pajisjen me GPS nuk do të kufizohet vetëm te transporti brenda qyteteve. Edhe linjat ndërqytetase do të përfshihen në sistemin e monitorimit, me qëllim kontrollin e respektimit të orareve të nisjes, itinerareve dhe shpejtësisë së lëvizjes.
Në kuadër të këtij projekti parashikohet edhe krijimi i një qendre monitorimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Qendra do të shërbejë për mbikëqyrjen e transportit dhe evidentimin e problematikave që mund të shfaqen gjatë funksionimit të linjave.
Sistemi do të mundësojë identifikimin e vonesave, devijimeve nga itinerari dhe problematikave të tjera, duke krijuar mundësi për ndërhyrje më të shpejtë dhe përmirësimin e shërbimit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Nga kjo datë, biletat e printuara që aktualisht merren nga fatorinot në autobusët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera pritet të zëvendësohen me një sistem të ri elektronik biletimi.
Qëllimi është që procesi i blerjes dhe administrimit të biletave të kalojë në mënyrë digjitale, në një model që është përdorur prej vitesh në shumë vende europiane. Ndryshimi synon gjithashtu të rrisë transparencën në sektor dhe të kufizojë informalitetin.
Sipas Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, digjitalizimi i sistemit pritet të ndikojë edhe në formalizimin e tregut, uljen e kostove dhe rritjen e konkurrencës mes operatorëve. Në të njëjtën kohë, synohet përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe rritja e të ardhurave që derdhen në buxhetin e shtetit.
Në këtë kuadër është vënë në përdorim edhe platforma “e-Transport”, e cila mbulon 520 linja, 242 operatorë dhe 2,282 mjete. Sistemi pritet të shërbejë si një mekanizëm i centralizuar për monitorimin e transportit dhe menaxhimin e flukseve të udhëtarëve.
Platforma parashikohet të përdoret për monitorimin e një numri shumë të lartë udhëtarësh, duke pasur parasysh se transporti publik në vend shërben për më shumë se 50 milionë pasagjerë.
Nëse zbatimi i planit vijon sipas afateve të përcaktuara, transporti publik shqiptar do të hyjë në një fazë të re digjitalizimi, ku qytetarët do të kenë më shumë informacion mbi lëvizjen e autobusëve dhe sistemi i biletimit do të kalojë gradualisht nga formati tradicional në atë elektronik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



