Në kulmin e protestave, SHBA ndan mesazhin e fortë të Marco Rubios
“Një vend që s’prodhon dhe s’kontrollon kufijtë, nuk mbron dot askënd”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një mesazh të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke vënë në pah lidhjen e drejtpërdrejtë mes politikës së jashtme dhe faktorëve themelorë si ekonomia, siguria energjetike dhe kontrolli i kufijve.
Në deklaratën e shpërndarë, Rubio thekson se politika e jashtme nuk mund të trajtohet si një fushë e shkëputur nga elementë të tjerë thelbësorë për një shtet.
“Politika e jashtme nuk mund të ndahet nga politika ekonomike, politika e kufijve, politika energjetike apo nga çdo fushë tjetër që është kritike për interesat tona kombëtare.”
Edhe pse deklarata nuk i referohet një vendi të caktuar, ajo vjen në një moment kur tema të tilla janë pjesë e debatit publik edhe në Shqipëri. Vendi prej më shumë se dy muajsh është përfshirë nga protesta të vazhdueshme në Tiranë dhe në diasporë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Në vijim të mesazhit të tij, Rubio lidh fuqinë e një shteti me aftësinë për të garantuar prodhim të brendshëm, kontroll mbi kufijtë dhe akses në burime strategjike.
“Një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë imigracionin ose të sigurojë qasje në burimet jetike, nuk mund të mbrojë popullin e tij, nuk mund të mbrojë interesat e tij dhe nuk mund të mbrojë mënyrën e tij të jetesës.”
Kjo deklaratë përforcon idenë se siguria kombëtare nuk mund të ndahet nga zhvillimi ekonomik, energjia dhe menaxhimi i kufijve, duke reflektuar një qasje më të gjerë të politikës amerikane që i konsideron këto fusha si baza reale të fuqisë së një shteti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




