Nën akuzë për korrupsion zgjedhor, Kristjan Shkreli dëshmon në GJKKO
“S’kam blerë vota, komunikimet ishin për hallet e qytetarëve”
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku ka dhënë dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj tij, pas akuzave të ngritura nga SPAK për korrupsion në zgjedhje.
Gjatë seancës, Shkreli ka mohuar në mënyrë kategorike çdo pretendim se ka ofruar favore apo përfitime në këmbim të votave, duke theksuar se çdo komunikim i tij ka qenë i lidhur me problematikat reale të banorëve.
“Nuk kam premtuar apo ofruar asgjë për votën. Problemet me energjinë elektrike në fshatin Stajkë ekzistojnë prej vitesh dhe unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm për t’i zgjidhur”, deklaroi ai para trupës gjykuese.
Duke iu referuar përgjimeve të përfshira në dosjen e prokurorisë, kryebashkiaku sqaroi se telefonatat dhe mesazhet e tij kanë pasur karakter institucional. Sipas tij, ndërhyrjet e vazhdueshme për çështje si energjia elektrike apo shërbimet shëndetësore janë pjesë e detyrës së tij si drejtues vendor.
“Çdo ditë marr telefonata për hallet e qytetarëve. Komunikoj me drejtorë, me institucione, për të zgjidhur probleme konkrete. Kjo është puna ime”, u shpreh Shkreli.
Një nga pikat kyçe të debatit në gjykatë lidhet me interpretimin e disa mesazheve, ku sipas prokurorisë ka indicie për presion elektoral. Por Shkreli i ka kundërshtuar këto interpretime, duke sqaruar se shprehje të tilla si “jepi zjarr” nuk kanë lidhje me blerje votash, por me organizimin e aktiviteteve gjatë fushatës.
“Ajo shprehje ka të bëjë me atmosferën në një takim elektoral, me brohoritje dhe pjesëmarrje, jo me kërkesa për vota apo përfitime”, theksoi ai.
Ai shtoi gjithashtu se gjatë periudhës së fushatës ka kërkuar mobilizim më të madh qytetar në aktivitetet politike, duke përfshirë tubimet e Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate, në një klimë që e cilësoi si të tensionuar.
Në dëshminë e tij, Shkreli ndaloi edhe te një tjetër komunikim i interpretuar nga prokuroria si shpërndarje parash për energjinë elektrike. Ai sqaroi se bëhej fjalë për një mënyrë komunikimi për të qetësuar banorët, të cilët kishin mbetur pa energji për disa ditë.
“Nuk kam dhënë asnjë lek. Ishte një mënyrë për t’i bindur qytetarët se problemi do të zgjidhej”, deklaroi ai.
Procesi ndaj kryebashkiakut vijon në GJKKO, ndërsa SPAK e akuzon për korrupsion në zgjedhje. Nga ana tjetër, Shkreli këmbëngul se të gjitha veprimet e tij kanë qenë në funksion të detyrës dhe në shërbim të komunitetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



