Neritan Sejamini: Nëse SPAK nuk na tregon ku vajtën 135 mln euro të inceneratorit të Tiranës, ka vdekur!

Neritan Sejamini ka folur për SPAK dhe hetimet që janë zhvilluar për çështjet e bujshme, si ajo e inceneratorëve, hetime të cilat analisti thotë se lënë për të dëshiruar.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” , Sejamini tha se SPAK duhet t’ju tregojë shqiptarëve se ku kanë vajtur 135 milionë euro të inceneratorit të Tiranës, ndryshe nga ç’bëri me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, ku hetimet u mbyllën duke kapur disa “peshq” të vegjël, por pa shpjeguar skemën e vjedhjes.

“Nëse shohim çfarë ka bërë SPAK deri tani, lë për të dëshiruar. Jemi dëshmitarë të standardeve të dyfishta. Inceneratorët, është zhgënjyes. Elbasani dhe Fieri janë mbyllur, të gjitha veprat penale nuk kanë treguar se si u arrit që një grua pa para dhe kompani, mori monopolin e mbetejve të Shqipërisë. SPAK ka akuzuar dhe dënuar disa persona për abuzime, sepse ka gjetur disa transferta. Tirana është në hetim e sipër, ndërsa Elbasani dhe Fieri janë mbyllur dhe nuk hapen më. Për Elbasanin dhe Fierin nuk na u tregua si ka ndodhur se si janë marrë 17 vendime në një ditë, në një shtet që edhe për të marrë një vërtetim të pronës do dy muaj.

Jam dakord, që SPAK duhet mbështetur. Në Tiranë, SPAK duhet të na thotë një gjë, ku kanë vajtur 135 milionë euro. Nëse SPAK do të gjejë disa zyrtarë për abuzim me detyrën, atëherë SPAK mund të na kënaqë me emra, por për mua rëndësia janë 135 milionë euro janë zhdukur, ku kanë vajtur këto?

Nëse Tirana mbaron dhe SPAK nuk na tregon ku vajtën 135 milionë… Duhet të tregojë se si u vodhën këto para dhe ku kanë vajtur. Pas kësaj ne themi, një grup bëri këtë vepër penale dhe shteti u dëmtua me 135 milionë euro. Nëse SPAK nuk na tregon ku kanë vajtur këto para, do të jem i pari që të them se SPAK ka vdekur”, tha Sejamini.

Publikuar nga Publik Media