E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
New York Times: Fatos Nano, udhëheqës i epokës së kaosit e tranzicionit
Bota

New York Times: Fatos Nano, udhëheqës i epokës së kaosit e tranzicionit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik pas rënies së komunizmit, ndërroi jetë më 31 tetor në Tiranë, në moshën 73-vjeçare. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta, pas një sëmundjeje kronike të mushkërive, u bë publik nga presidenti Bajram Begaj.

Nano ishte një nga personalitetet më të spikatur të periudhës së paskomunizmit, një politikan i formuar në sistemin e vjetër, por që udhëhoqi Shqipërinë në hapat e parë drejt pluralizmit dhe demokracisë. Karriera e tij përshkruan vetë historinë e vendit: nga një regjim i izoluar, drejt një shoqërie që përpiqej të gjente rrugën e lirisë.

I lindur në Tiranë, më 16 shtator 1952, Fatos Nano ishte djali i vetëm i Thanas Nanos, ish-drejtor i Radio Televizionit Shqiptar, dhe Maria Shuteriqi Nanos, zyrtare shtetërore. I rritur në një familje të elitës komuniste, ai shfaqi herët shpirtin rebel, duke krijuar një grup rok që luante këngë të ndaluara të “Beatles”. U diplomua në Gjimnazin “Sami Frashëri”, më pas në ekonomi politike në Universitetin e Tiranës (1974), ku mori edhe doktoraturën në ekonomi në vitin 1983.

Në fillimet e karrierës, punoi si studiues në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, nën drejtimin e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha. Pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 1985, Nano nisi të spikaste si një reformator brenda sistemit.

Në vitin 1991, në prag të shembjes së komunizmit, Ramiz Alia e emëroi kryeministër, duke i besuar menaxhimin e kalimit drejt sistemit shumëpartiak. Nano drejtoi gjithashtu transformimin e Partisë së Punës në Partinë Socialiste të Shqipërisë, një proces që do ta shënonte si figurë qendrore të së majtës shqiptare për dekada.

Por rruga e tij politike ishte plot ngritje e rrëzime. Ai u detyrua të largohej nga detyra e kryeministrit pas një greve masive punëtorësh në vitin 1991. Dy vite më vonë, në 1993, u arrestua nga qeveria e Sali Berishës dhe u dënua me 12 vjet burg për shpërdorim fondesh ndihme italiane — akuza që u konsideruan nga shumë organizata ndërkombëtare si politike. Gjatë procesit, gjykatësi dha dorëheqjen, duke denoncuar presione të forta politike.

Edhe nga burgu, Nano arriti të mbante nën kontroll Partinë Socialiste, duke e drejtuar përmes bashkëshortes së tij të atëhershme, Rexhina Nano. Ai u lirua në vitin 1997, falë një amnistie, dhe menjëherë pas krizës së skemave piramidale, u rikthye në krye të qeverisë.

Qeverisja e tij u karakterizua nga përpjekje për stabilitet, por edhe nga probleme të mëdha korrupsioni, pabarazie dhe konflikte të brendshme. Pas vrasjes së Azem Hajdarit në vitin 1998 dhe trazirave që pasuan, Nano dha dorëheqjen dhe u largua nga godina e qeverisë nën presionin e protestave.

Në vitin 2002, ai u rikthye për herë të tretë në postin e kryeministrit, por sfidat mbetën të njëjta. Korrupsioni, mungesa e reformave dhe tensionet politike e dobësuan qeverinë e tij, deri në humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005, që shënoi fundin e karrierës së tij aktive në politikë.

Nano kandidoi dy herë për President të Republikës, në vitet 2007 dhe 2012, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare.

Në jetën personale, ai la pas dy fëmijë, Sokol dhe Edë Nanon, nga martesa e parë me Rexhina Nanon, dhe bashkëshorten e dytë, Xhoana Nanon, me të cilën u martua në vitin 2002.

Figura e Fatos Nanos mbetet ndër më komplekset e tranzicionit shqiptar — një intelektual i formuar në sistemin komunist, që kërkoi ta reformonte atë, por që shpesh u pengua nga kaosi politik dhe korrupsioni i një epoke të turbullt. Siç shkruante analisti amerikan Fred C. Abrahams, “Nano ishte një politikan i stërholluar dhe i paparashikueshëm, që lëvizte gjithmonë midis idealizmit dhe pushtetit, duke kërkuar një ekuilibër që Shqipëria vetë ende nuk e kishte gjetur.”/New York Times

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.