Nga 1 janari ulen tarifat e pasaportave dhe kartave të identitetit, kategoritë që përfitojnë
Që prej 1 janarit 2027 pritet të hyjnë në fuqi tarifat e reja për pajisjen me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti për disa kategori qytetarësh në Shqipëri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin që parashikon lehtësimin e kostove për fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç.
Ndryshimet synojnë të reduktojnë shpenzimet për këto kategori, duke prekur tarifat që aplikohen aktualisht për dokumentet e identifikimit.
Sipas tarifave të reja të raportuara, fëmijët nën moshën 16 vjeç do të paguajnë 6,000 lekë për t’u pajisur me pasaportë biometrike, nga 7,500 lekë që është tarifa aktuale. Kjo përfaqëson një ulje prej 1,500 lekësh.
Lehtësi financiare parashikohen edhe për personat me aftësi të kufizuara. Për këtë kategori, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 lekë, nga 1,500 lekë që paguhet aktualisht. Ndërsa tarifa për pasaportën biometrike do të jetë 6,000 lekë.
Në të njëjtën skemë përfshihen edhe qytetarët mbi 65 vjeç, të cilët do të përfitojnë uljen e tarifës për kartën e identitetit nga 1,500 në 1,000 lekë.
Premtimi i ministrit Demo për uljen e kostove
Nisma ishte bërë publike më 3 tetor 2026, gjatë një vizite të ministrit Ervin Demo në ambientet e IdentiTek, ku ai kishte paralajmëruar rishikimin e tarifave për kategoritë që kanë më shumë nevojë për mbështetje.
Ministri e kishte lidhur këtë angazhim me nevojën për ta bërë shërbimin më të përballueshëm dhe më të aksesueshëm për qytetarët.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, është shprehur Demo.
Ai ka theksuar se reduktimi i tarifave duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e cilësisë së shërbimit, shkurtimin e kohës së pritjes dhe shmangien e procedurave të panevojshme burokratike.
“Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin!”, ka deklaruar ministri.
Demo ka bërë të ditur gjithashtu se do të ndjekë zbatimin e masave të reja, me synimin që ulja e kostove të shoqërohet me një shërbim më të shpejtë dhe më efikas për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



