E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga “armiqtë” te flamingot: narrativa e Ramës si një rrugë pa krye
Lajme

Nga “armiqtë” te flamingot: narrativa e Ramës si një rrugë pa krye

Kryeministri prej 33 ditësh në ‘zigzag’ dhe asnjë provë në SPAK

Nga “vendet jo mike” te flamingot. Në vetëm 33 ditë protestë, narrativa e kryeministrit Edi Rama ka pësuar një transformim të dukshëm. Në fillim, protestuesit u etiketuan si të nxitur nga faktorë të jashtëm dhe individë në shërbim të tyre për destabilizimin e vendit. Sot, ndarja është tjetër: “protestues të vërtetë” për flamingot dhe natyrën, përballë atyre që hedhin vezë, përplasen me policinë apo radikalizojnë situatën. Por përtej etiketave, një gjë mbetet e pandryshuar: kërkesa për largimin e Edi Ramës.

Që në ditët e para, konkretisht nga dita e pestë e protestës, Rama deklaroi publikisht se pas tubimeve qëndronin “vende jo mike”. Më pas, ai e thelloi këtë qëndrim, duke lënë të kuptohej se individë të caktuar, përfshirë organizatorë të protestës, ishin vënë në shërbim të këtyre vendeve me synimin për të destabilizuar Shqipërinë.

Këto deklarata nuk janë retorikë e zakonshme politike. Janë akuza të rënda, që nëse janë të vërteta, tejkalojnë çdo debat publik dhe hyjnë në fushën e veprave penale që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.

Sot protesta pritet të hyjë në ditën e 34-të.

Pas më shumë se një muaji, retorika nuk mjafton më. Propaganda nuk mjafton më. Nëse Kryeministri disponon informacion se shtetas shqiptarë janë financuar apo nxitur nga vende të huaja për të destabilizuar vendin, atëherë ai nuk mund të kufizohet në deklarata publike. Ai ka detyrimin ligjor t’i referohet organeve të drejtësisë.

Në këtë pikë lind pyetja thelbësore: ku janë kallëzimet penale?

Është e vështirë të besohet se Rama flet pa bazë. Si Kryeministër, ai duhet të jetë ndër personat më të informuar në vend. Pikërisht për këtë arsye, mungesa e veprimit konkret ngre pikëpyetje serioze.

Nëse ekzistojnë prova për financime të huaja, organizim të dhunës apo tentativa për destabilizim, ato nuk mund të mbeten pjesë e një diskursi politik. Ato duhet të ishin prej kohësh në duart e SPAK.

Nëse nuk janë, atëherë mbeten vetëm dy alternativa.

Ose akuzat nuk kanë pasur bazë reale dhe janë përdorur si instrument politik për të delegjitimuar protestën.

Ose Kryeministri ka dijeni për veprimtari të rënda kundër shtetit dhe nuk i ka kallëzuar, çka përbën një problem po aq serioz.

Në këtë kontekst, edhe kuadri ligjor është i qartë. Kodi Penal parashikon një sërë veprash që lidhen drejtpërdrejt me akuzat e artikuluara publikisht:

  • Neni 217 – Marrja e shpërblimeve
  • Neni 218 – Vënia në shërbim të shteteve të huaja
  • Neni 223 – Thirrjet publike për veprime të dhunshme
  • Neni 230/ç – Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur
  • Neni 235 – Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik
  • Neni 236 – Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik
  • Neni 237 – Goditjet për shkak të detyrës

Të gjitha këto dispozita janë instrumente konkrete ligjore që shteti përdor për raste të tilla.

Për këtë arsye, pas 33 ditësh protestë, debati nuk qëndron më te veprimet sporadike të protestuesve – nëse hedhin vezë, nëse përplasen me policinë apo nëse dëmtojnë pronë publike apo private.

Debati është shumë më i thellë.

A ekziston realisht skenari që përshkroi Edi Rama?

Nëse po, atëherë institucionet e drejtësisë duhet të jenë vënë në lëvizje prej kohësh.

Nëse jo, atëherë narrativa e “vendeve jo mike” bie dhe duhet të marrë fund.

Sepse shteti nuk funksionon me metafora, as me flamingo. Funksionon me prova, me kallëzime dhe me përgjegjësi ligjore. Pas 33 ditësh, momenti i zgjedhjes është i qartë: mes dosjeve dhe fjalimeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.