Nga automatiku te verërat e Agasit, si ‘avullojnë’ provat në Shqipëri
Gazetari Elton Qyno ka deklaruar se zhdukja e koleksionit të shtrenjtë dhe të vjetër me verë, i sekuestruar në banesën e Ergys Agasit, nuk mund të konsiderohet një rastësi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Qyno e lidh këtë ngjarje me një model të përsëritur ndër vite, duke kujtuar tre raste të bujshme ku prova materiale të administruara zyrtarisht me proces-verbal janë zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme nga institucionet ligjzbatuese.
Sipas tij, vetëm 24 orë pasi lajmi për sekuestrimin e koleksionit të verërave u shpërnda te disa gazetarë të përzgjedhur, jo vetëm që sendet nuk ekzistonin më, por në dosje kishin mbetur vetëm proces-verbalet përkatëse.
“Gjatë 20 viteve punë si gazetar i kronikës së zezë, kujtoj vetëm tre raste të bujshme ku prova materiale janë zhdukur në mënyrë spektakolare, ndonëse ishin administruar zyrtarisht”, shkruan Qyno, duke i renditur ato një nga një.
Rasti i parë daton në vitin 1998, kur nga dhoma e provave në Policinë e Durrësit u zhduk një automatik i sekuestruar në lidhje me një vrasje mes bandës së Durrësit dhe klanit të Marsel Sotirit. Në armë ishin fiksuar gjurmë gishtash që i përkisnin Klodian Saliut, por arma u zhduk dhe u arrit të zbulohej dinamika vetëm pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Adriatik Coli. Automatikut nuk iu gjet kurrë gjurma, ndërsa oficeri përgjegjës u përjashtua nga Policia, për t’u rikthyer më pas në radhët e saj dhe për të mbajtur sot një post të lartë.
Rasti i dytë, sipas Qynos, ndodhi në vitin 2011, kur prova materiale, sende personale dhe shuma monetare të sekuestruara ndaj një të dënuari për trafik droge, u zhdukën nga dhoma e provave të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Skandali u zbulua vetëm në momentin kur gjykata urdhëroi kthimin e sendeve, por konstatoi se ato nuk ekzistonin më. Ky rast solli më pas shkarkimin e kryetares së kësaj gjykate nga KLGJ.
Rasti i tretë, dhe më i fundit, është ai i zhdukjes së koleksionit luksoz të verërave në banesën e Ergys Agasit. Vetë SPAK, sipas gazetarit, kishte informuar disa gazetarë se koleksioni ishte zbuluar dhe sekuestruar, por vetëm një ditë më pas, provat ishin “avulluar” plotësisht, duke lënë pas vetëm dokumentacionin zyrtar.
Qyno ngre pikëpyetje serioze mbi fatin e provave dhe mënyrën se si trajtohen çështje të ndjeshme, duke theksuar se historia, në këtë rast, duket se po përsëritet.
Reagimi i plotë:
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




