Nga delet te viçat, shteti nxjerr në ankand pasuritë e sekuestruara krimit
Administrimi i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në kuadër të hetimeve ndaj krimit të organizuar vijon të mbetet një sfidë për institucionet shqiptare. Pasuritë që kalojnë në favor të shtetit pas përfundimit të procedurave ligjore mund të shiten ose të përdoren për qëllime në interes publik.
Por këtë herë, në ankand nuk janë prona apo automjete. Në Dibër, shteti ka nxjerrë në shitje gjashtë viça të sekuestruar, të cilët sipas dokumentacionit zyrtar ndodhen në Peshjakë, Maqellarë.
Procedura e ankandit është zhvilluar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, me objekt shitjeje gjashtë krerë viça të matrikulluara, me një peshë totale të deklaruar prej rreth 1,675 kilogramësh.
Sipas dokumentit të ankandit, këto kafshë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe ndodhen aktualisht në zonën e Peshjakës, në Maqellarë të Dibrës.
Ky rast vjen pas rasteve të tjera kur pasuri të sekuestruara apo konfiskuara janë nxjerrë në ankand nga shteti. Pak javë më parë u raportua edhe për shitjen e deleve përmes një procedure të ngjashme.
Ankandet janë një nga mënyrat përmes të cilave shteti administron pasuritë e marra nën administrim pas sekuestrimit apo konfiskimit. Të ardhurat e përfituara nga shitja kalojnë në buxhet, në përputhje me procedurat ligjore.
Megjithatë, praktika ngre edhe një tjetër pikë diskutimi: nëse pasuri të tilla, veçanërisht kafshët, mund të shërbejnë drejtpërdrejt për familjet në vështirësi ekonomike, përpara se të shndërrohen në të ardhura nga ankandi. Një përdorim i tillë do të mund të shihej edhe si një formë konkrete e kthimit në komunitet të aseteve të sekuestruara nga aktiviteti kriminal.
Në rastin konkret, dokumentacioni zyrtar përcakton se bëhet fjalë për 6 krerë viça, të matrikulluara, me vendndodhje në Peshjakë të Maqellarës dhe me peshë totale rreth 1.7 tonë.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



